“Ilir Meta na ka lënë. Ilir Meta nuk i përket më kësaj bote në sensin e botës së njerëzve normal që me gjithë ekseset e tyre qëndrojnë prapë brenda një kornize normaliteti dhe në nivelet e lajthitjeje.”.

Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama sot në emisionin ‘Kjo javë’ në ‘News24’ në lidhje me presidentin Ilir Meta.

Kreu i qeverisë theksoi se Meta është në vorbullën e një përçartje shqetësuese. Mes të tjerash Rama tha se shpreson që kreu i shtetit të mbajë fjalën për dorëheqjen e tij nga ky post.

A keni një koment për deklaratat e Presidentit për zgjedhjet. Thotë se do të mbrojë çdo votë, ekipe të Presidencës do të jenë në çdo qendër votimi…?
Ilir Meta na ka lënë. Ilir Meta nuk i përket më kësaj bote në sensin e botës së njerëzve normal që me gjithë ekseset e tyre qëndrojnë prapë brenda një kornize normaliteti dhe në nivelet e lajthitjeje. Kemi një nivel të parë lajthitje që është lajthitja e Lulit që infekton njerëz, kemi pastaj një tjetër nivel lajthitjeje që është lajthitja e Ilir Metës që është futur në vorbullën e një përçartjeje që është realisht shumë shqetësuese. Është shqetësuese për faktin që Shqipëria nuk ka më President, s’ka më garant të institucioneve dhe s’ka më garant të kushtetutës. S’ka më faktikisht asgjë në atë zyrë përveçse një njeriu të tërbuar i cili nuk di më se çfarë flet, nuk di më se çfarë kërkon. Unë shpresoj, dhe nuk e kam një shpresë të fortë, që Ilir Meta të iki dhe të japë dorëheqjen pas zgjedhjeve kur në të fitojmë zgjedhjet ashtu sikundër e ka deklaruar. Zgjedhjet ne 25 Prill janë ndër të tjera dhe një zgjedhje e qartë midis drejtësisë dhe Ilir Metës, kështu që kush do të votojë në 25 Prill për Partinë Socialiste do të japë një kontribut të rëndësishëm edhe për të çliruar Presidencën nga Ilir Meta.

A keni një bast me veten z.Rama për rezultatin e 25 Prillit?
Jo unë nuk vë bast asnjëherë. Jo vetëm që e kam të ndaluar në Shqipëri por edhe për faktin që unë nuk nisem nga dëshirat. Kur bëj parashikimin e gjërave unë mundohem të jem sa më skrupuloz në analizën e të dhënave që kam në dispozicion. Në e kemi shumë të kolauduar mekanizmin e anketimeve që bëjmë. Ne bëjmë anketime shumë të rregullta prej shumë kohësh tanimë për të lexuar opinionin publik. Në kohë normale, pra në kohë jashtë zgjedhore I bëjmë për tema, në prag zgjedhjesh I bëjmë edhe për orientimin e votës, dhe unë jam shumë I bindur që jemi në rrugën e duhur për të arritur rezultat shumë pozitiv. Sigurisht që ka një gjë, unë kam luajtur sport dhe unë e di shumë mirë që fitorja arrihet kur ndeshja mbaron, nuk arrihet përpara se të fillojë ndeshja. Mund të jesh një skuadër shumë e mirë, mund të hysh në fushë me një skuadër shumë më të dobët dhe mund të ngatërrohesh me këmbët e tua e në fund mund të marrësh një rezultat që nuk ka lidhje fare me peshën dhe me vlerën që ka njëra skuadër apo tjetra. Kështu që kjo është ndeshje, ndeshja duhet luajtur deri në fund dhe të gjitha detajet duhen kuruar deri në fund, gjithkush duhet të bëjë detyrën e vet deri në fund e po në fund del dhe rezultati. Kështu që parashikimet mbi bazën e të dhënave janë një gjë, por ndeshja është një gjë krejt tjetër dhe ajo duhet luajtur deri në fund.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: