Analisti Fatos Lubonja në një lidhje “Skype” me rubrikën “Opinion” në “News24” ka bërë një bilanc të gjatë  të sektorëve socio-politikë, për vitin që po lëmë pas. Ai theksoi se 2019-ta, në thelb ishte një vit i rëndë për jetën e shqiptarëve, ndërsa për këtë tezë Lubonja renditi faktorët që kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës. Për Fatos Lubonjën pika kulminante e 2019-s është tërmeti i 26 nëntorit, si pasojë e të cilit 51 qytetarë humbën jetën dhe qindra të tjerë mbetën pa shtëpi.

Pjesë nga intervista:

Si ishte i gjithë ky vit për shqiptarët?

Është një vit i rëndë. Është një vit që përtej tërmetit, por sigurisht me pikë kulminante tërmetin, flet për degradimin e qartë të një kulturë, që është instaluar në Shqipëria qysh pas rënies së komunizmit, që ka sjellë atë që unë e quaj në shkrim “instalimin e republikës së druvarëve”. Sundimi i atyre njerëzve, që kanë vetëm një Zot që është “Zoti para” dhe mbi të gjithë dhe sundimi i tyre. Tërmeti ishte dhe një pikë kulminate, sepse vetë dëmet e tërmetit janë rrjedhojë e kësaj kulture të vështrimit dhe e të bërit të gjërave. Kur kjo kulturë ndërton institucione shtetërore në funksion të këtyre njerëzve, atëherë arrihet në një situatë dramatike. Ne jemi rasti ekstrem, ashtu sikurse në kohën e diktaturës kur thuhej se: jemi i vetmi vend socialist në botë, por ishte e kundërta sepse ishim më keq se të tjetër.  Sot jemi ndoshta një “republikë druvarësh”,  e vetmja në botë pasi kapitalizmin e kemi ndërtuar shumë keq. Druvarët po mprehin sëpatat për të prerë pyjet, por edhe fjalët po zhduken. Tërmeti është pikë kulminante. Kultura është ajo që na ka sjellë këtu. 2019 nuk e shoh të ndarë me vitet e tjera. Degradimi i demokracisë është gjithnjë në rritje. Kjo nuk erdhi  si rezultat i një njeriu të vetëm.  Fenomenet që kanë çuar në atë situatë është se ne kemi ndërtuar atë që figurativisht e quaj “partitë e druvarëve”.  Këto druvarët përjashtuan nga pylli (Parlamenti) partinë tjetër të druvarëve. Dalja e opozitës jashtë nga parlamenti, por edhe rritja e agresivitetit të kësaj maxhorance, është një fenomen dhe shenjë e degradimit të gjërave që kemi bërë keq këto 30 vjet.

A mund të ndodh një rotacion pushteti?

Unë nuk shikoj ndonjë gjë për të më bërë optimist për vitin 2020, për fat të keq. Atë që mund të shoh, është ajo që  se unë shoh degradimin dhe mosbesimin e njerëzve tek institucionet. Ikja e njerëzve në një vend ku jetohet më mirë dhe më normal. Nuk shoh fije reflektimi të maxhorancës, por përkundër shoh se ka prirje për të kontrolluar më shumë, kjo është puna kryesore që bën partia në pushtet.  Në këtë kontekst e shoh keq punën. Trashja e zullumit mund të krijojë situata irracionale e humbje durimi, por kjo nuk është zgjidhje, sepse mund të prodhojë situata të tjera. Opozita kërkohet që të këtë një transformim, dhe jo një opozitë që të jetë e lidhur me oligarkët, por një opozitë që  t’iu rikthejë shpresën njerëzve që kanë vuajtur nga ky sistem. Nuk del dot nga ai qerthulli i oligarkisë, të cilës i ka shërbyer, që e bëjnë situatën shumë të vështirë në ndërtimin e një shpresës.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb