Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj, e cilësoi si të qëllimshme deklaratën e kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, lidhur me zhvillimin e këtij sesioni parlamentar.

Ai tha se në mbledhjen e Konferencës së kryetarëve është diskutuar në lidhje me zhvillimin e komisioneve fizikisht, duke paraqitur testin e vaksinimit ose tamponët negativë, por në asnjë moment sipas tij, nuk është diskutuar për shkurtimin e fjalës.

“Kryetari i grupit parlamentar të PS, besoj se në mënyrë të qëllimshme keqinformoi deputetët për atë që është arritur në Konferencën e Kryetarëve. Nuk ka pasur asnjë diskutim për limitim kohe. Isha unë, në emër të grupit parlamentar të PD, e ngrita çështjen dhe kërkova që vendimi që është marrë në Konferencë Kryetarësh në mënyrë të njëanshme të anulohet.

Mirë është që procesverbali të bëhet publik. Unë dua të sjell në vëmendje vendimin nr 2, ku është vendosur për herë të parë veç të tjerave, vendosja e kufizimit në kohë të kufizimeve dhe mbledhja e komisioneve online. Të gjitha pikat që ne kemi rënë dakord, janë shkruar me mirëkuptim, ndërsa këto 2 pika, pa mirëkuptim. Kam qenë unë që kam thënë që në konferencë kryetarësh me votë nuk merren këto vendime. Kjo pjesa e luftës me COVID-in është punë tjetër. Por rregullorja duhet të prevalojë ndaj çdo gjëje tjetër.

Nëse doni të ndryshoni rregulloren në mënyrë të njëanshme bëjeni. Kërkoj që të jemi seriozë dhe çka është thënë të thuhet siç është thënë. Kemi rënë dakord që komisionet të zhvillohen në prezencë dhe deputetët të paraqesin test vaksinimi ose tampon negativ”, u shpreh Rushaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb