Irani vazhdon të jetë shteti më i goditur nga koronavirusi në të gjithë Lindjen e Mesme.

Shteti iranian ka shënuar 74 të vdekur në 24 orët e fundit, kurse numri total i viktimave nga Covid-19, në këtë vend, ka shkuar në 6277 njerëz.

Numri i të infektuarve me koronavirus në Iran në 24 orët e fundit ka shkuar në 1223 individë.

Ndërsa, numri total i të infektuarve me Covid-19 në Iran ka shkuar tashmë në 98 647 individë.

Pavarësisht këtyre shifrave që në dukje janë të frikshme, Irani ka vendosur të marrë masa lehtësuese, ndërsa ka rihapur xhamitë në qytetet kryesore në vend.

Xhamitë janë hapur edhe në qytete më periferike, në gjithsej 132 qendra të banuara të shtetit. Presidenti i vendit Hasan Ruhani ka deklaruar se shteti ka vendosur që të bëjë disa hapa përpara, duke lehtësuar masat.

Kështu, xhamitë janë hapur në shumë qendra të banuara, ndërsa iu janë bërë thirrje njerëzve që të respektojnë distancat sociale, të mbajnë maska, e të mos qëndrojnë më shumë se gjysmë ore nëpër xhami.

Ruhani ka thënë se do të rihapen edhe qendrat tregtare të mëdha, pavarësisht se ekspertë në vend kanë deklaruar se të tilla vendime mund të jenë me pasoja.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb