“Arrestimi i ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, me 20 kg kokainë në Itali, është një ngjarje ulëritëse për Shqipërinë”. Kështu është shprehur gazetarja Klodiana Lala në studion e emisionit “Open” të gazetares Eni Vasili, në News24.

Për gazetaren Lala lajmi nuk është që ai u kap me 20 kg drogë, pasi në vendin tonë janë kapur dhe kaluar tonelata me drogë, por problem është fakti se si Agim Kajmaku ngjiti shkallët e politikës, duke u bërë dhe kryebashkiak i një prej bashkive më të mëdha në vend.

“Kam folur një javë më par ëme drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit. Nuk kanë pranuar se kishin informacion për arrestimin e Kajmakut. Në këndvështrimin tim, ata e mbrojtën Agim Kajmakun, sepse nuk e pranuan lajmin. Kemi të ruajtura të gjitha mesazhet. News24 u lajmërua nga një burim në Itali për arrestimin e Kajmakut. Problemi është se përtej përfshirjes së tij në trafik droge, ulëritëse është se Agim Kajmaku, i skeduar që në vitin e largët 1991-1995 arriti të ngjiste shkallët politike.

Nuk është lajm kapja e tij me 20 kg drogë, sepse në vendin tonë janë kapur tonelata kokainë. Kjo bën lajm, sepse bëhet fjalë për një ish-kryetar bashkie, të një ndër bashkitë më të mëdha në vend. Nga informacionet që kemi, që policia nuk i pranoi në asnjë moment, Kajmaku është arrestuar dy javë më parë, sepse pronari i fidanishtes, ku ai merrte lulet, kishte dyshime. Ai sinjalizoi policinë atje. Por nuk është ende e qartë nëse droga ka ikur nga Shqipëria, pra nëse është trafikuar nga Shqipëria drejt Italisë.

Nëse bëhet fjalë për një sasi droge të shkuar nga Shqipëria drejt Italisë, jemi përpara faktit se ku kaloi kjo drogë, si u fut në territorin italian. Nëse ka ikur nga Shqipëria, ka dyshime se mund të ketë dhe bashkëpunëtorë. Është një strukturë e tërë që operon, që nga momenti si kamuflohet, mënyra si kamuflohet, fakti që bëhej në vazo lulesh. Kjo histori kërkon minimalisht një kërkesë falje nga politika, por dhe një hetim shterues nga policia. Zyrtarët që fshehën lajmin duhet të kërkojnë falje, e të ketë edhe dorëheqje. Ata duhet të shpjegojnë arsyet pse një ish-kryebashkiak, i prekur nga dekriminalizimi, i mbrojtur hapur nga kryeministri, arrestohet atje dhe nuk ka informacion në vendin tonë. “Nuk kemi konfirmim nga pala shqiptare”, është mesazhi i zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit. Unë nuk besoj që nuk ka pasur konfirmim. Pasuria e Agim Kajmakut, pas këtij momenti, duhet t’i nënshtrohet verifikimit”, tha gazetarja Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb