TIRANË

Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj solli një panoramë optimiste në mbledhjen online të komitetit të ekspertëve me kryeministrin Edi Rama. Ai tha se vazhdon kontrolli i situatës por numri i thirrjeve ka rënë ndjeshëm duke folur me shifra konkrete. Sipas tij, një tjetër e dhënë është fakti që personat e prekur nuk duan të shkojnë në spital por të trajtohen në shtëpi.

“Edhe pranë urgjencës kombëtare vazhdon kontrolli i situatës. Ka rënë shumë numri i thirrjeve. Në ditën e sotme jemi 2035 thirrje. Po ashtu dhe numri i thirrjeve drejt 0800 sot jemi tek 380 thirrje. Një gjë tjetër pozitive është dhe fakti i uljes së numrit të vizitave në 300 nga 600 e ca. Dhe një gjë tjetër të sëmurët me COVID që trajtohen në banesë. Kërkojnë ndihmë dhe duan të trajtohen në banesë. Janë ndërgjegjësuar dhe nuk duan të shkojnë në spital. Gjendja nën kontroll”, deklaroi Brataj.

Shefja e Infektivit Najada Çomo tha se në spital numri i të shtruarve ka qenë mbi 250 ndërsa tani janë rreth 30. “Aktualisht disa prej tyre në gjendje të rëndë. Është ndjekur mjekimi i duhur sipas standardeve bashkëkohore. Barnat si tocilizumab janë duke u ofruar. Vëmendja mbahet përsëri e lartë”, tha Çomo.

Zëvendës ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, e cila u prezantua sot nga kryeministri Edi Rama si drejtuese e komitetit teknik tha se treguesit aktual flasin se situata është mirë e kontrolluar.
“Situata duket që është mirë e kontrolluar dhe siç u kemi thënë kur kemi propozuar strategjinë e hapjes, treguesit do të ishin numri i të infektuar të rinj, numri i të shtruarve në spitale dhe atyre që kanë nevojë për kujdes intensiv apo atyre qe mund të kishin humbur jetën. Fatmirësisht nuk i kemi arritur ato tregues që mund të na pengonin të qëndronim në vend”, tha Rakacolli nën cilësinë e kryetares së Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Rakacolli tha se duke marrë në konsideratë që strategjia e propozuar ka ecur mirë propozojmë që kjo strategji të ecë duke mbajtur në vemëndje ato tregues që kemi përcaktuar, duke rritur survejancën në zonat e kuqe por edhe në zonat e tjera.

Sa i përket testimit serologjik ajo tha se do vijojë për grupet e riskut.
“Po përpiqemi të forcojmë kapacitetet tona për testimin. Dhe testimi i sierologjisë është shumë i mirë për të na dhënë një panoramë për grupet e riskut por dhe më tej në popullatë”, tha Rakacolli.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb