Në datën 14 Nëntor është parashikuar një ceremoni në Kodrat e Liqenit në Tiranë, ku pranë vëllezërve Frashëri do të vendosen eshtrat dhe busti i nje tjëtër Frashërlliu te njohur, Mid’hat Frashërit.

Ndërkaq, në ShBA është nisur ndërkohë grupi i nismetarëve të tërheqjes së eshtrave të mendimtarit te njohur, i cili prehet në varrezat e Westchester-it. Deputeti i PD, Agron Shehaj, zbulon përmes një statusi në faqen e tij në Facebook se propozimi për kthimin në atdhe të Mid’hat Frashërit ka ardhur nga Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, të cilin Shehaj e ka themeluar bashkë me historianin e njohur Uran Butka, nisur nga amaneti i Frashërit. Shehaj thotë më tej se Instituti ka nisur botimin e 14 vëllimeve të punëve të plotë të Mid’hat Frashërit.

Postimi i plote:

Sot, unë ndjej emocion dhe përunjësi të thellë në prag të udhëtimit për në ShBA për të tërhequr eshtrat e Mid’hat Frashërit.

Pas 74 vjetësh, eshtrat e Mid’hat Frashërit do t’i bashkohen më 14 Nëntor 2018 atyre të Abdylit, Naimit dhe Samiut, në Kodrat e Liqenit. Një nga atdhetarët e mëdhenj, që shpëtuan gjuhën shqipe dhe kombin shqipëtar, po kthehet më në fund në atdhe. Ky ishte amaneti i tij, i cili i papërmbushur ishte turpi i gjithë shoqërisë.

Shqipëria dhe shqiptarët i detyrohen përjetësisht Mid’hadit, pinjollit të denjë të familjes më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë.

Në respekt të amanetit të tij, dy vite më parë themeluam me të palodhurin Uran Butka, Institutin e Studimeve Historike “Lumo Skëndo”.

Një ndër nismat e para të Institutit, ishte kërkesa për tërheqjen e eshtrave mendimtarit shqiptar, duke i risjellë në vëmendje shqiptarëve se Shqipëria nuk duhet të jetë vendi tek i cili shqiptarët kthehen vetëm për t’u prehur, por adheu nga i cili ata nuk duhen të largohen kurrë.

Nën kujdesin e Uran Butkës, kemi filluar botimin e veprës së plotë të Mid’hadit, mendimet e së cilit janë mishërimi i shqiptarizmës dhe frymës perëndimore, me të cilën baballarët e Kombit mëvetësuan Shqipërinë dhe e futën atë në rrugën e përparimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb