TIRANE

Pak ditë nga prehja e eshtrave të Mid’hat Frashërit në Atdhe, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka publikuar listën e dokumenteve arkivorë të përndjekjes së Sigurimit ndaj personalitetit të shquar të kulturës dhe letrave shqipe.

Mësohet se materialet janë disa qindra faqe, ndërsa do t’i vihen në dispozicion të të interesuarve, studiues dhe kërkues shkencorë, ish-të përndjekur dhe familjarë të tyre, shoqëri civile dhe media, duke mundësuar njohjen me inventarët e plotë dhe më gjerë.

Konkretisht, janë identifikuar:
Viti 1945, Dosje – fashikull me dokumente mbi veprimtarinë e Mid’hat Frashëri gjatë okupacionit në arrati.
Viti 1945, Dosje – fashikull me dokumente mbi veprimtarinë armiqësore dhe anti kombëtare të Mid’hat Frashërit, gjatë regjimit të Zogut
Viti 1945, Informacione mbi veprimtarinë e Ballit Kombëtar, promemorie mbi formimin e disa qeverive gjatë luftës, lista e informatorëve në shërbim të Jugosllavisë para lufte e që ndiqeshin nga autoritetet italiane dhe lista emërore e personelit italian në Shqipëri, ndodhet vetëm në origjinal.
Viti 1945, Historiku i ish legatës dhe konsullatës italiane në Shqipëri deri më 1943, skica e vendndodhjes.
Viti 1953, Shënime për Komitetin Shqipëria e Lirë, themeluar dhe kryesuar nga Mid’hat Frashëri.
Viti 1954, Historiku i Ballit Kombëtar, lista sipas qarqeve.
Viti 1954, Historiku i Ballit Kombëtar, para dhe pas vitit 1944.
Viti 1947, Raporte informative mbi gjendjen dhe veprimtarinë armiqësore të emigracionit reaksionar shqiptar në Itali dhe dokumente mbi organizatën “Balli Kombëtar” në mërgim.
Viti 1950, Historiku i organizatës së Ballit Kombëtar dhe veprimtaria e saj në Shqipëri dhe në mërgim. Thirrjet e Kongresit të kësaj organizate dhe polemika mbi organizatat e tjera të emigracionit reaksionar shqiptar në perëndim
Të gjithë dokumentet vihen në dispozicion të të interesuarve, studiuesve, medias, mbi bazë kërkese dhe konform ligjit në fuqi.
Duke i vënë në dispozicion të publikut këto materiale, AIDSSH krijon mundësi për njohje të thelluar me dokumente, procesverbale, dosje e statistika të periudhës së marrë në shqyrtim, mbi rezistencën dhe përndjekjen, për të hedhur dritë mbi të shkuarën me baza profesionale dhe transparencë, në komunikim të hapur me publikun.

Kujtojmë se eshtrat e Mid’hat Frashërit erdhën më 14 nëntor nga SHBA për në Tiranë, ndërsa pas homazheve në Akademinë e Shkencave, ai u varros pranë vëllezërve Frashëri tek Liqeni Artificial, pasi ai ishte nip i frashërllinjve të mëdhenj, Samiut dhe Naimit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: