TIRANË

Përfundimi i afatit 100 ditësh të vendosur nga Kryeministri Edi Rama, si edhe ndryshimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pritet të sjellin ndryshime rrënjësore, që do të prekin jo vetëm kupolën e policisë, por edhe drejtorët vendorë, shefat e komisariatit e të rendit.

Lajmi bëhet i ditur për “BalkanWeb” nga gazetarja Dorjana Bezat, e cila referuar burimeve nga Policia e Shtetit, thekson se drejtori i Përgjithshëm, Gledis Nano, është njohur me vlerësimin që drejtorët vendorë u kanë bërë shefave të komisariatit. Ndërsa nga nesër do të njihet me rezultatet e analizës 9 mujore në çdo drejtori vendore në vend. Analiza pritet të përfundojë këtë javë dhe më pas do të bëhen lëvizje drejtuesish.

Lëvizjet do të bëhen duke u bazuar në performancën e gjithsecilit nga drejtori i qarkut, shefi i komisariatit dhe ai i rendit dhe sigurisë publike. Ndryshimet do të prekin edhe drejtuesit e departamenteve në Policinë e Shtetit.

Ndryshime rrënjësore pritet të ketë në drejtorinë e Policisë së Tiranës, të cilat do të nisin me drejtorin e saj, Rebani Jaupi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb