I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, profesori i Sëmundjeve të Derrave në UBT Ilirian Kumbe ka folur për sëmundjen e Etheve Afrikane të Derrave, si përhapet dhe impaktin ekonomik që ka në një vend. Kumbe deklaroi se kjo sëmundje virale ka një shpërthim të lartë dhe se nuk ka vaksinë për trajtimin e saj, ndërsa dëmet ekomonike në vende si Kina kanë arritur në 141 miliardë dollarë.

“Ethet Afrikane të Derrit është një sëmundje virale që shkaktohet nga një virus që prek vetëm derrat, ndërsa ka një shpërthim të lartë dhe nuk ka mjete trajtimi, vaksinë apo medikamente. Përveç eksperiencës në fermat e derrave, kam 31 vite që jap mësim për sëmundjet e derrave dhe jam në kontakt me problematikat e sëmundjes së derrave. Kjo sëmundje ka një impakt ekonomik shumë të lartë, ku në Kinë shkaktoi 141 miliardë dollarë humbje, ndërsa në Vietnam shkaktoi 4 miliard dollarë humbje. Virusi është rezistent në natyrë për 18 muaj, duke e bërë atë shumë të përhapshëm e duke çuar vendet në krizë, e cila solli rritje me 74% të çmimit të mishit të derrit.”-deklaroi profesor Ilirian Kumbe.

Profesori thekson se të prekura nga sëmundja e Etheve Afrikane të Derrave janë fermat oborre ku mungojnë masat e sigurisë, siç janë fermat e zonës së Mbishkodres. Kumbe shpjegoi edhe simptomat që shfaqen tek derrat dhe detyrat e shërbimit veterinar.

“Përmes rrobave, njeriu është vektor teknik i transmetimit të sëmundjes. Kryesisht të prekura nga sëmundja e Etheve Afrikane të Derrave janë fermat oborre, ku nuk ka masa sigurie, siç janë fermat sot në Shqipëri, në zonën e Mbishkodrës, të cilat kanë kasolle me 5-10 derra dhe kontakti me derrat e eger është i sigurt. Në dimër, kemi kontakt më të lartë dhe transmetim të sigurt të sëmundjes. Shërbimi veterinar ka detyrë që të njoftojë organet kompetente kur shohin derra që shfaqin simptoma të tilla si: Me temperaturë deri në 42 gradë, ethe, prek të gjitha organet, hemoragji në lëkurë, e cila mavijoset, ka rrjedhje të gjakut nga hundet, feçes. 30-40% e konsumit botëror vjen nga derri, ndaj duhet ndërgjegjësim, mbështetje politike nga qeveria, që në dijeninë time nuk ka ndonjë mbështetje për fermat e derrave. Virusi jeton në rruazat e bardha dhe përmes serumeve ky virus nuk jeton gjatë. Kërkimet për vaksinë vazhdojnë dhe ende nuk ka një të tillë pasi vështirësia është shumë e madhe. Vendi ynë ka shans se ka një numër të vogël të derrave të egër, ndërsa Çekia është i vetmi vend që e ka zhdukur”- u shpreh profesor Kumbe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb