TIRANË

Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar se brenda ditës së hënë do të kallëzojë penalisht në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ndërsa i ka kërkuar që të japë sa më parë dorëheqjen dhe të përballet me drejtësinë.

Sipas Kreut të Shtetit, ministrja akuzohet për disa vepra penale, si shpërdorim detyre, falsifikim dhe ndërhyrje të paligjshme në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

“Të gjithë qytetarët shqiptarë dhe partneritetet ndërkombëtare u njohën dje me veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit flagrant të kryera nga institucionit të ministrit të Drejtësisë, lidhur me KED. Provat do ia dorëzojmë SPAK, ku rezulton se është përfshirë drejtpërdrejtë Etilda Gjonaj, por dhe funksionarë të lartë të këtij institucioni, në varësi të saj, në llogari të skenarit mafioz të kapjes së Gjykatës Kushtetuese. Gjonaj ka urdhëruar Sekretarin e Përgjithshëm të dërgonte për botim në Fletoren Zyrtare një vendim, që duhet botuar vetëm në faqen e Gjykatës Kushtetuese.

Ministrja nuk ka asnjë rol të dërgojë aktet e KED për botim. Ka urdhëruar botimin pa ia kërkuar askush. Ministrja ka akuzohet për shpërdorim të detyrës, falsifikim dhe ndërhyrje e paligjshme në proces. Brenda ditës së hënë do depozitoj pranë SPAK kallëzimin penal ndaj ministres Etilda Gjonaj dhe jo vetëm. Duke qenë se Etilda Gjonaj e ka humbur tërësisht besimin e Presidentit të Republikës, të shprehet me dekret për emërimin e saj, do të mirëprisja dorëheqjen e saj dhe përballjen e saj me drejtësinë. Si një ish-ministre do doja që ajo të hetohej e lire”, tha Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb