Etiopia ka mbjellë mbi 200 milionë drunj në një ditë, çfarë besohet se është rekord i ri botëror. Kryeministri Abiy Ahmed po udhëheq projektin, i cili synon të luftojë efektet e shpyllëzimit dhe të ndryshimeve klimatike në Etiopi – vend i prirë ndaj thatësirave.

Disa zyra publike janë mbyllur të hënën për t’iu mundësuar shërbyesve civilë të marrin pjesë në projekt. Ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë i Etiopisë, Getahun Mekuria, tha në Twitter se janë mbjellë më shumë se 220 milionë drunj.

Qëllimi është të mbillen gjithsej katër miliardë drunj. Sipas Kombeve të Bashkuara, mbulimi pyjor i Etiopisë ka rënë nga 35% e tokës totale në fillim të shekullit 20, në pak më shumë se 4% në vitet 2000.

Rekordin botëror për mbjelljen e pemëve në një ditë të vetme e mban aktualisht India, e cila ka mbjellë më shumë se 50 milionë sosh në vitin 2016.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb