Etrit Berisha në fillim të këtij sezoni la Lacion për t’u transferuar tek Atalanta, ku edhe do të shkëlqente. Një dëmtim i ndërpreu ecurinë pozitive gardianit kuqezi, por gjithsesi shokët e tij në ekipin italian mezi po e presin rikthimin e 27-të vjeçarit.

Ndërsa pritet rikthimi i tij në fushë, portali francez “Topmercato.com”, e ka përfshirë Etritin në skuadrën më të mirë të kësaj faze të parë të kampionatit italian, të përbërë nga formacioni me rreshtimin 4-4-2, si dhe pankina e rezervave. Një formacion plot kualitet dhe fantazi.

Berisha u përzgjodh nga “Topmercato.com”, si portier zëvendësues në skuadrën më të mirë të Seria A. Në fakt, portali prestigjoz francez ka preferuar të përzgjedhë në formacionin titullar me një vendosje me modulin 4-4-2: Wojciech Szczesny; Bruno Peres, Francesco Acerbi, Federico Fazio, Alex Sandro;Felipe Anderson, Miralem Pjanic, Giacomo Bonavenura, Diego Perotti; Mohamed Salah, Edin Dzeko.

Lojtarët e tjerë që plotësojnë ekipin rezervë ku bën pjesë edhe Berisha janë: Emerson, Mattia Caldara, José Callejón, Iago Falque, Alejandro Gomez, Paulo Dybala, Andrea Belotti.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb