TIRANE – “Ethet” e kampionatit Europian të futbollit kanë përfshirë edhe këndin e gatimit në “Vila 24”. Një picë e veçantë, e realizuar nga Zonja Vjollca, ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve mëngjesin e sotëm. Pica me spinaq u realizua në formën e një fushe të gjelbër, shoqëruar me detajet e nevojshme të një ndeshjeje futbolli.

Ja si u realizua pica speciale me spinaq në “Vila 24”:
500 gr brumë pice
425 gr salcë domate
2 qepë mesatare
800 gr spinaq
8-9 feta proshutë
100 gr djathë pice
3 lgj vaj ulliri
Kripë
Piper i zi
Arrë moskat
4 lgj krem djathi
6 domate qershi
6 të verdha veze të ziera

Për brumin e picës:
25 gr maja birre
1 lk sheqer
2 lk kripë
500 gr miell
3 lgj vaj ulliri
300 ml ujë të vakët

Pasi përgatisim brumin e lemë të vijë për 2 orë dhe më pas e hapim atë me dorë në një tepsi drejtkëndëshe.
Lyejmë komplet sipërfaqen e brumit me salcë domate, mbi salcë hedhim djathë pice të grirë dhe mbi djathë vendosim feta të hollë proshute. E vendosim picën në furrë në temperaturën 220 gradë Celsius për 10 minuta.
Ndërkohë qepët e grira hollë i kaurdisim në tigan me vaj ulliri dhe sapo ato të zbuten shtojmë spinaqin të larë mirë e të pastruar. E trazojmë sa ai të ulë volumin dhe në fund e rregullojmë me kripë, piper dhe arrë moskat.
Nxjerrim picën nga furra dhe e dekorojmë atë si një fushë futbolli me gjethet e spinaqit. Në një xhep pastiçerie vendosim kremin e djathit dhe në dy anët e picës vizojmë nga një portë ndërsa në qendër vizojmë mesin e fushës. Ndajmë domatet qershi në ½ dhe 11 gjysma i shpërndajmë në fushe si një skuadër dhe të verdhat e vezëve të ndara në ½ si një skuadër tjetër.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb