Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, komentoi në një lidhje me “Skype” në rubrikën “Opinion”, në News24, emetimin e eurobondit 650 milionë euro nga qeveria shqiptare.

Malaj tha se ky borxh ishte planifikuar që para pandemisë së koronavirusit, ndërsa shtoi se “Jep një mesazh pozitiv për tregjet dhe për investitorët e huaj”.

Sipas ish-ministrit, nëse borxhi investohet në sektorë që sjellin më shumë të ardhura, do të jetë pozitivë, por nëse përdoret në mënyrë jo të mençuar, “kthehet në një borxh që vret ekonominë, ku ekonomia rritet më pak. Borxhet jo të shëndetshme janë një barrë e rëndë, që çojnë drejt një krize”.

“Ky borxh ishte planifikuar që para pandemisë. Po të kemi parasysh historinë e eurobondeve në Shqipëri, do të shohim se ato kanë pasur luhatje të ndryshme nga njëra-tjetra. Besueshmëria është një element shumë i rëndësishëm. Është perceptimi që kanë investitorët te shtetet, aq më tepër që bëhet fjalë për një borxh publik. Ulja e normave të interesit duhet të vijë nga rezultatet që arrijmë ne nga rritja ekonomike”, tha ish-ministri.

Pse u mor ky borxh në këtë moment?
Bankat e mëdha janë në adresime në këtë periudhë për të gjetur si të investojnë paratë e tyre. Ekspertët paralajmërojnë që kriza do të cojë në rritje të borxhit me 30% mesatarisht. Për këtë duhet t’i paraprijnë situatës. Qeveria duhet të na qartësojë.

Sa pritet të shkojë borxhi?
Ne nuk e dimë akoma, se sa gjatë pandemia do ta godasë ekonominë shqiptare. Parashikimet lëvizin që në 2020 ne do të kemi një rritje ekonomike -5 deri në -9. Unë nuk mendoj se mund të zbresim deri në -9, por kjo mbetet për t’u parë. Kalkulimet janë të përafërta. Qeveria duhet të bëjë një transparencë të gjithë borxhit që po merr, që nga tërmeti e deri tani, se nuk e dimë sa është borxh i butë dhe sa me kushte tregtare. Dy goditjet nuk janë për faj të qeverisë, por transparenca për borxhin duhet bërë.

Çfarë efektesh do të sjellë marrja e eurobondit?
Nuk do të sjellë ndonjë impakt të madh, duke ditur tërësinë e borxhit publik që ka Shqipëria dhe që është rritur shumë dy vitet e fundit. Jep një mesazh pozitiv për tregjet dhe për investitorët e huaj. Nëse do të arrijmë të kapërcejmë krizën që kemi në parlament dhe nëse BE do të marrë vendimin për integrimin, mund të kemi një rritje të shpejtë të fluksit të investimeve të huaja, që janë shumë të rëndësishme. Pra, nuk duhet ta shohim thjesht si aritmetik borxhin, por ta shohim për ndikimin që do të ketë në tregje.

Si iu duket interesi i eurobondit, në krahasim me vendet e tjera?
Nuk na jep ndonjë perceptim krahasimi me vendet e tjera. Ajo që ndryshon është se pas vitit 2013 Serbia e luftoi shumë borxhin publik, duke e ulur shumë, kurse në Shqipëri nuk e kemi këtë.

Si duhet të shpenzohet dhe menaxhohet ky eurobond?
Ne e ndajmë borxhin ne dy grupe, borxh i shëndetshëm, që investohet te sektorët që sjellin më shumë të ardhura. Nëse e marrim borxhin për projekte që nuk reduktojnë kostot, por përdoret në mënyrë jo të mençur, jo racionale, kthehet në një borxh që vret ekonominë, ku ekonomia rritet më pak. Borxhet jo të shëndetshme janë një barrë e rëndë, që çojnë drejt një krize.

Marrja e këtij borxhi nuk mund të sigurojë një strategji 10-vjeçare. Është mirë që Shqipëria të ketë një strategji kombëtare 10-vjeçare, të ketë indikatorë të matshëm, çfarë do të ndodhë me ekonominë, sa do të jetë papunësia, etj. Kjo sjell edhe tregues konkretë si do të shkojë ekonomia. Lidhur me këtë plan 10-vjeçar, qeveria ka detyrimin ta bëjë transparent, duhen pyetur grupet e interesit dhe do të ishte mirë që plani të kalonte në parlament. Do të ishte mirë që opozita të mund të ndërtonte dhe ajo një plan alternativë 10-vjeçar dhe t’iu jepte mundësi edhe studiuesve të kontribuonin. Plani duhet të jetë unik, duhet të ketë transparencën maksimale dhe duhet të kalojë në një rezolutë në parlament.

Si e shihni ekonominë pas marrjes së këtij eurobondi?
Patjetër që kriza do të na prekë, sfida më e madhe është se sa shpejt do të ringrihemi. Përgjegjshmëria për çdo ligj, çdo shpenzim, investim apo borxh, është shumë e rëndësishme. Por, shumë e rëndësishme është edhe të krijohet besim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb