BRUKSEL – Vendet europiane dhe zyrtarët e BE-së bënë thirrje për bashkim për të luftuar terrorizmin pas atentateve të përgjakshme në Paris, gjatë një takimi të 28 ministrave të Punëve të Jashtme të mbledhur në Bruksel.

“Ata duan të na ndajnë, ne jemi akoma më shumë të bashkuar”, theksoi shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini, pas mbërritjes në Këshillin për Punët e Jashtme, që mblodhi ministrat e shteteve anëtare.

Mogherini u kërkoi europianëve të bashkojnë forcat e tyre, të shpërndajnë informacionin, një axhendë politike dhe të koordinojnë përpjekjet diplomatike, ekonomike dhe ndonjëherë ushtarake përballë kërcënimit terrorist.

“Ky nuk është një sulm kundër një vendi të vetëm, nuk është një sulm vetëm kundër Europës, është një sulm kundër qytetërimit”, nënvizoi ajo para takimit europian kushtuar çështjes siriane.

Sekretari francez i Shtetit për Çështjet Europiane, Harlem Desir, nënvizoi gjithashtu se edhe pse ishte Franca që u sulmua, e gjithë Evropa është prekur.

“Ne jemi goditur së bashku, ne do të përgjigjemi së bashku dhe ne do ta mundim së bashku terrorizmin dhe ushtrinë terroriste të Daech (akronim i Shtetit Islamik)”, theksoi ai duke kërkuar marrjen e vendimeve në fushën e bashkëpunimin gjyqësor dhe policor kundër terrorizmit.

Ai përmendi nevojën për të vendosur një regjistër europian të pasagjerëve që ushëtojnë me avionë (PNR) dhe të diskutojnë për mundësinë e riforcimit të kontrolleve kufitare.

Ministri belg i Punëve të Jashtme, Didier Reynders, theksoi se duhet të ketë më shumë ndarje të informacioneve sekrete mes vendeve.

“Ne kemi një bashkëpunim të mirë me autoritetet franceze”, theksoi ai.

“Evropa duhet të solidarizohet në këto momente”, theksoi komisioneri europian, Johannes Hahn.

“Ne nuk duhet të përziejmë aktualisht krizën e imigracionit me këto sulme terroriste të dhunshme”, shtoi ai.

“Evropa duhet të bëjë kujdes që të mos përziejë terrorizmin me imigracionin”, theksoi gjithashtu ministri luksemburgas i Punëve të Jashtme, Jean Asselborn, vendi i të cilit drejton Këshillin e BE-së.

“Ekziston një armik i përbashkët, ai është Daech”, shtoi ai duke siguruar se nuk do të ketë asnjë antagonizëm përsa i përket kontributit të BE-së në këtë luftë.

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank-Walter Steinmeier theksoi se ishte detyrë e Europianëve të ishin përkrah Francës.

“Duhet të kërkojmë zgjidhje për të zhgjidhur përfundimisht konfliktin, luftën civile në Siri, që ka hyrë në vitin e pestë”, theksoi ai duke shpresuar se negociata dinamike do të ndërmerreshin në nivel ndërkombëtar për këtë çështje.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: