Greqia mban sot zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të përcaktojnë nëse vendi i zhytur më shumë në borxhe i Evropës do të zgjedhë vete rrugën drejt rimëkëmbjes ekonomike, apo do të vazhdojë me programin e reformave të rrepta ekonomike që kanë kërkuar huadhënësit ndërkombëtarë. Anketat tregojnë se partia e ekstremit të majtë, Syriza do të fitojë ndaj partisë në pushtet të kryeministrit konservator Antonis Samaras. Udhëheqësit e Syrizës thonë se duan të rinegociojnë kushtet e paketës financiare 300 miliardë dollarëshe të shpëtimit që kanë dhënë që në vitin 2010, Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Kryeministri Samaras ka paralajmëruar se Greqia mund të përzihet nga Eurozona nëse fiton Syriza. Një sërë ndryshimesh politike pritet të përfshijnë Greqinë e lodhur nga masat shtrënguese ekonomike, por problemet financiare mund të mos largohen thjesht me zgjedhjen e një qeverie të re. Anketat e opinionit tregojnë se partia radikale Syriza mund të arrijë një fitore të pastër, ose të kërkojë mbështetjen e ndonjë partie të vogël për një koalicion të mundshëm qeveritar. Partia radikale e majtë Syriza pritet të fitojë zgjedhjet e përgjithshme të së dielës, duke shfrytëzuar një valë zemërimi ndaj masave shtrënguese të vendosura si kusht për ndihmën financiare ndërkombëtare. Drejtuesi i partisë, Alexis Tsipras, i ka kritikuar ashpër shkurtimet drastike që kanë rënduar mbi një numër familjesh greke dhe po merr rezultatet e mbështetjes pas një premtimi se do të rinegociojë marrëveshjen e shpëtimit. ”Ju ftoj të mos e humbisni objektivin për asnjë moment. Sa më e madhe fitorja, aq më në gjendje do të jemi për të përmbushur synimet dhe premtimet tona, aq më të gatshëm do të jemi për të fituar në negociatat për kornizën evropiane”. Perspektiva e fitores për një parti tradicionalisht të ekstremit të majtë, që premton të ndryshojë paketën e shpëtimit të Greqisë tronditi tregjet ndërkombëtare dhe rindezi shqetësimet e largimit të Greqisë nga Eurozona. Anketat e opinionit sugjerojnë se hendeku mes partisë Syriza dhe partisë konservatore të kryeministrit Antonis Samaras po shtohet, duke i dhënë zotit Tsipras shansin për një fitore të pastër ose disa opsione për formimin e një qeverie koalicioni. Kryeministri Samaras ka premtuar disa lehtësira fiskale, duke thënë se rritja ekonomike dhe investimet do të lehtësojnë dhimbjen dhe do të ulin gradualisht papunësinë.  ”Nuk mund të jemi kundër Evropës dhe të kërkojmë më shumë para, që pres të na japë Evropa në të ardhmen”.  Megjithatë, qeveria e ardhshme greke përballet me një detyrë të vështirë. Ajo duhet të konsolidojë reformat, të mbajë buxhetin e balancuar, të forcojë rritjen e dobët pas një recesioni gjashtëvjeçar, të përfundojë me shpejtësi bisedimet e ngrira me inspektorët e paketës së shpëtimit për të siguruar këstin prej 7.2 miliardë euro dhe të negociojë ndihmën e mëtejshme për të shlyer borxhin. Analisti politik George Tzogopoulos, me fondacionin Helen për Politikën e Jashtme shpjegon: ”Udhëheqja e partisë Syriza ka një përqasje më të butë në krahasim me periudhën parazgjedhore në 2012. Ata janë kundër masave shtrënguese, por në të njëjtën kohë po përpiqen të thonë se do të përmbushin detyrimet e Greqisë”. Mbetet për t’u parë nëse Syriza do të sigurojë minimumin e 151 vendeve në parlamentin me 300 anëtarë, të nevojshëm për të qeverisur e vetme apo do të kërkojë mbështetjen e të paktën një nga partitë e tjera më të vogla. Me partinë Agimi i Artë, drejtuesi i së cilës pret të dalë para gjykatës nën akuzat për krim të organizuar dhe me Partinë Komuniste që refuzon të bashkëpunojë me këdo, shanset janë për të kërkuar një mbështetje nga partia e re e qendrës Potani ose socialistët e Pasokut. Shumë grekë presin ndryshime. Haris, një 29-vjeçar në biznesin e argëtimit mendon se rezultatet e zgjedhjeve nuk do të sjellin ndonjë ndryshim të madh. “Ndoshta gjërat do të përmirësohen, por kjo do të jetë vetëm e përkohshme”, thotë ai. Gerasimos Soulis punon për një kompani televizive greke dhe nuk është i kënaqur. “Po përpiqemi të jetojmë me një të tretën e parave që kishim. Dhe jemi të kënaqur me një të tretën, pasi ata na bënë të mësohemi me asgjë”, thotë ai, cili se do të votojë për Syrizan, me shpresën se situata në vend do të përmirësohet.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: