Rezultatet jozyrtare të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian (PE), të cilat u zhvilluan në 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), treguan se partitë e qendrës së djathtë dhe të krahut të majtë, që tradicionalisht mbajnë kontrollin, humbën fuqinë e tyre dhe se qytetarët kanë rritur mbështetjen për partitë që premtuan ndryshime, shkruan Anadolu Agency (AA).

Sipas parashikimeve paraprake të publikuara nga PE, Partia Popullore Evropiane (EPP) e qendrës së djathtë dhe Social Demokratët (S&D) e qendrës së majtë, të cilat tradicionalisht kanë qenë grupet më të forta politike në Evropë, kanë humbur një numër vendesh në parlament, ndërsa partitë populiste të ekstremist të djathtë, liberalët dhe të gjelbrit kanë shënuar rritje.

Sipas të dhënave të fundit, EPP ka zënë përsëri vendin e parë në zgjedhjet e parlamentit i cili gjithsej numëron 751 ulëse. Megjithatë, numri i deputetëve të EPP-së ka rënë nga 216 në 180 krahasuar me zgjedhjet e PE-së në vitin 2014. EPP u pasua nga Social Demokratët me 152 vende, të cilët, edhe pse u radhitën të dytët, humbën 33 vende.

Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën (ALDE), subjekti me pikëpamje liberale në PE i cili u ngrit në pozitën e grupit të tretë më të madh, rriti numrin e ulësve në 105 nga 36 nga zgjedhjet e mëparshme.

ALDE u ndoq nga Të Gjelbrit Evropianë (EFA), të cilët pritet të dërgojnë 67 deputetë nga 15 në vitin 2014.

Konservatorët dhe Reformistët Evropianë (ECR), që në periudhën paraprake ishte grupi i tretë më i fortë politik dhe përfshin edhe parti të ekstremit të djathtë, kanë humbur 16 vende dhe do të dërgojnë 61 deputetë.

Nga ana tjetër, grupet politike Evropa e Kombeve dhe Lirive (ENF) dhe Liritë Evropiane dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë (EFDD), që gjithashtu përfshijnë parti të krahut të djathtë ekstrem populist, janë forcuar.

ENF ka shtuar 21 vende dhe do të dërgojë 57 deputetë, kurse EFDD ka shtuar 12 ulëse dhe do të dërgojë 54 deputetë.

E Majtja e Bashkuar Evropiane/E Majta e Gjelbër Nordike (GUE/NGL), që më parë kishin 52 deputetë, humbën 14 vende dhe aktualisht kanë arritur të dërgojnë vetëm 38 deputetë.

Ndërkohë, 37 deputetët e tjerë janë zgjedhur si të pavarur dhe kandidatë të tjerë.

– Fitore e së djathtës ekstreme në Francë

Pas rreth 6 muajsh protestash të “jelekëve të verdhë” për ndryshime në Francë, subjekti më i spikatur në zgjedhjet e vendit për PE rezultoi Partia e Unitetit Kombëtar (RN), e udhëhequr nga ekstremistja djathtiste Marine Le Pen.

RN nuk rriti votat në raport me zgjedhjet e vitit 2014, por me 23,3 për qind të votave, la mbrapa Lëvizjen e Marshit Republikan (LREM) në qeveri të themeluar nga presidenti Emmanuel Macron, e cila fitoi 22,1 për qind të votave.

Nga ana tjetër, Partia e Gjelbër në Francë (EELV) rriti votat e saj me 3,85 për qind krahasuar me zgjedhjet e vitit 2014.

– Të gjelbrit, fitues të zgjedhjeve në Gjermani

Zgjedhjet e PE-së në Gjermani tërhoqën vëmendjen pasi Partia e Gjelbër thuajse dyfishoi votat, konkretisht mori 9,8 për qind më shumë se zgjedhjet e kaluara, për t’u radhitur si partia e dytë me 20,5 për qind të votave në Gjermani. Nga 11 deputetë, të gjelbrit në Gjermani aktualisht parashihet të dërgojnë 21 deputetë në PE.

Unioni Demokristian (CDU) i Merkelit arriti të grumbullojë vetëm 22,6 për qind të votave, duke shënuar rënie për 7,5 për qind.

Edhe Partia Social Demokrate pjesë e qeverisë së koalicionit CDU/CSU ka shënuar rezultatin më të dobët të saj duke humbur 11,4 për qind të votave dhe duke marrë vetëm 15,8 për qind.

E djathta ekstreme populiste, Alternativa për Gjermaninë (AfD), fitoi 11 për qind të votave, që është një ngritje nga 7,1 për qind sa kishte fituar në zgjedhjet e kaluara.

– Faktori Brexit në Britani

Partia Konservatore në Britani, pësoi humbje të thellë nën ndikimin e Brexit-it, planit të vendit për t’u larguar nga BE-ja.

Dy partitë tradicionale të vendit, Partia Konservatore dhe ajo Laburiste, të cilat nuk arritën marrëveshje mbi Brexit-in, kanë shënuar rënie në zgjedhjet e PE-së.

Ndërkaq, Partia Brexit e themeluar së fundmi, e cila si politikë kryesore ka përcaktuar largimin nga BE-ja, rezultoi partia e parë. E kryesuar nga djathtisti ekstrem Nigel Farage, kjo parti fitoi 31,6 për qind të votave.

Liberal Demokratët proevropianë kanë zënë vendin e dytë me një rritje, duke siguruar 20,3 për qind të votave, Partia Labursite ka ngelur e treta me 14,1 për qind, kurse Të Gjelbrit që janë në favor të qëndrimit në BE janë radhitur të katërtit me 12,1 për qind të votave.

Nga ana tjetër, e ndikuar nga politika për Brexit-in, Partia Konservatore humbi 14 për qind të votave krahasur me zgjedhjet e vitit 2014 dhe siguroi vetëm vendin e pestë me 9,1 për qind.

– Itali, për herë të parë fituese një parti e djathtë ekstreme

Për herë të parë në Itali, fituese ka rezultuar një parti me pikëpamje të ekstremit të djathtë. Partia Lega, partner i qeverisë së koalicionit, është radhitur si partia e parë me afër 30 për qind të votave.

Matteo Salvini, lideri i partisë Lega që njihet me politikat kundër migrantëve, njëherësh ministër i Brendshëm dhe zëvendëskryeministër, më herët ka nisur aktivitete me grupet e djathta ekstreme në disa vende të Evropës për të formuar një grup të përbashkët brenda PE-së.

Nga ana tjetër, partia Forza Italia e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, edhe pse arriti të zgjidhet në këto zgjedhje që mori pjesë për herë të parë, me 8,78 për qind të votave nuk tregoi ndonjë sukses të madh.

– Socialistët fitojnë në Spanjë dhe Portugali

Partia Socialiste e Punëtorëve në Spanjë (PSOE) rezultoi si partia e parë me afër 33 për qind të votave.

Sipas rezultateve zyrtare, pas PSOE-së, Partia Popullore e krahut të djathtë ka fituar 12 ulëse, subjekti “Qytetarët” i krahut të djathtë liberal shtatë, partia Podemos e krahut të majtë gjashtë, partia e ekstremit të djathtë Vox tre ulëse, Aleanca e “Republika Tani” e formuar nga partia separatiste katalanase E Majta Republikane e Katalonjës, EH Bildu dhe Blloku Nacionalist i Galisisë ka siguruar tre ulëse, Bashkimi për Katalonjën dy vende dhe Koalicion për Solidaritet Evropian ka siguruar një ulëse.

Në Portugali, ku në tetor do të mbahen zgjedhje parlamentare, subjekti fitues i zgjedhjeve të PE-së ka rezultuar Partia Socialiste e cila është në pushtet me qeverinë e pakicës.

Eurodeputet është zgjedhur edhe Carles Puigdemont, ish-lideri i Rajonit Autonom të Katalonjës i cili është arratisur në Belgjikë pas referendumit për pavarësi më 1 tetor të vitit 2017 pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë në parlamentin katalanas më 28 tetor të vitit 2017.

– Befasi nga Partia Laburiste në Holandë

Në Holandë, zgjedhjet i ka fituar Partia Laburiste (PvdA), në të cilën bartës i listës së kandidatëve ishte Frans Timmermans, zëvendëspresident i Komisionit Evropian.

Nga ana tjetër, Partia e Lirisë (PVV), e udhëhequr nga ekstremisti i djathtë Geert Wilders, e cila fitoi katër vende në zgjedhjet e vitit 2014, ka humbur të gjitha këto katër vende dhe pësoi humbjen më të madhe.

– Austri, partia e kancelarit Kurz fiton me diferencë të madhe

Partia Popullore e Austrisë (ÖVP) e kryesuar nga kancelari Sebastian Kurz fitoi zgjedhjet e PE-së në Austri me një diferencë të theksuar. Duke fituar 34,9 për qind të votave, ai la mbrapa për dhjetë për qind konkurrentin më të afërt, duke e rritur në shtatë numrin e deputetëve që do të dërgojë në PE.

Partia e Lirisë e Austrisë (FPÖ), subjekt me pikëpamje të djathta ekstreme, pësoi humbje të votave në zgjedhjet e parë në të cilat garoi pas skandalit të javës së kaluar që shkaktoi prishjen e qeverisë së koalicionit dhe marrjen e vendimit për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, konkretisht publikimit të një videoje që shfaq liderin e partisë Heinz Christian Strache duke bërë pazarllëqe me Rusinë.

Kjoo parti humbi 2,5 pikë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2014 dhe ra në 17,2 për qind. Nga katër deputetë në zgjedhjet e kaluara, ajo tani pritet të dërgojë tre deputetë.

– Zgjedhje të parakohshme në Greqi

Partia opozitare greke Demokracia e Re (ND) ka rezultuar si partia e parë në zgjedhjet e PE-së me 33 për qind të votave, kurse SYRIZA e kryeministrit Aleksis Tsipras mbeti mbrapa për nëntë pikë dhe mori 23,9 për qind.

Pas disfatës, Tsipras njoftoi se pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, do të kërkojë nga presidenti shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

– Deputetët me origjinë turke në PE

İsmail Ertuğ, i cili tashmë dy mandate ka qenë eurodeputet, edhe këtë herë është zgjedhur nga radhët e SDP-së. Engin Eroğlu nga partia “Zgjedhësit e Lirë” (Freie Waehler) dhe Özlem Alev Demirel nga Partia e Majtë u zgjodhën për herë të parë në PE.

Nga ana tjetër, për herë të parë një kandidat turk arrin të zgjidhet deputet i PE-së nga Qiproja Greke. Akademiku dhe shkrimtari Niyazi Kızılyürek është zgjedhur nga lista e majtë AKEL.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e PE-së në gjithë Evropën, e cila në vitin 2014 ishte 42,6 për qind, këtë herë arriti në 51 për qind.

Rreth 400 milionë qytetarë kishin të drejtë vote në zgjedhjet e PE-së, duke i bërë ato zgjedhjet e dyta më të mëdha demokratike pas Indisë.

Gara e këtij viti ishte në mes të tetë grupeve të ndryshme brenda parlamentit, ku 28 shtete të BE-së dolën për të votuar për zgjedhjet që u mbajtën në periudhën 23-26 maj.

Zgjedhjet e PE-së mbahen çdo pesë vjet. PE, i cili vepron si organ legjislativ i bllokut, së bashku me Këshillin e BE-së konfirmojnë dhe miratojnë ligjet dhe buxhetin e unionit.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: