Cilësia e ajrit është përmirësuar ndjeshëm në Europë gjatë 10 viteve të fundit, por shumë europianë vazhdojnë të vdesin para kohe për shkak të ndotjes, zbuloi sot Agjencia Europiane e Mjedisit (AEE) në një raport.

“Ndotja e ajrit është kërcënimi mjedisor më i madh për shëndetin e europianëve, shkaku i sëmundjeve respiratore dhe kardiovaskulare”, thekson raporti.

Në 10 vitet e fundit (2009-2018), numri i të vdekurve si pasojë e ndotësve kryesorë ka qenë kryesisht në rënie.

Në Europë me 28 vende (BE dhe Britania e Madhe), AEE vlerëson se numri i të vdekurve lidhur me grimcat e imëta të pluhurit PM 2,5mikrometër ka arritur nga 417 000 në 2009 në 379 000 në 2018.

Vetëm për dioksidin e azotit (NO2), një gaz i prodhuar kryesisht nga automjetet dhe termocentralet, vdekjet e parakohshme kanë rënë me rreth 54% gjatë dekadës së fundit, nga 117 000 në 54,000.

Që prej fillimit të viteve 2000, emetimet e ndotësve kryesoë atmosferikë, veçanërisht oksidet e azotit (NOx) janë ulur në mënyrë të konsiderueshme në Europë, kujton agjencia me qendër në Kopenhagë.

“Përmirësimi i cilësisë së ajrit në sajë të klimës dhe politikave mjedisore është një lajm i mirë, por të gjitha lajmet e mira kanë anët e tyre të dobëta dhe ne nuk mund të injorojmë që numri i vdekjeve të parakohshme është ende shumë i lartë”, nënvizoi Komisioneri Europian për Mjedisin, Virginijus Sinkevičius, cituar në raport.

Në vitin 2018, 34% e banorëve në zonat urbane ende thithnin grimca të ozonit më të larta se standardet europiane.

Kriteret evropiane janë më pak të rrepta sesa ato të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sipas të cilave 99% e banorëve të BE-së thithnin grimca të ozonit më të larta se rekomandimet. (Atsh)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb