UEFA ka hapur thesin. Për klubet që kanë furnizuar ekipet kombëtare për zhvillimin e eliminatoreve të kampionatit europian janë akorduar 100 milionë euro, të cilat do të shpërndahen në bazë të rregullave të caktuara.

Nga kjo premio do të përfitojnë edhe klubet shqiptare, që kanë pasur lojtarë në kombëtare të ndryshme. Skënderbeu është ai që udhëheq listën me 60 mijë euro, ndërsa Flamurtari dhe Partizani e ndjekin me nga 52 mijë euro. Edhe Tirana do të përfitojë 32 mijë euro.

Si funksionon

Çdo skuadër në Europë që ka një lojtar në listën e 23 të grumbulluarve për zhvillimin e një ndeshjeje përfiton 4 mijë euro për lojtar. Kjo do të thotë se futbollistët që aktivizohen në formacionin bazë, por edhe ata që qëndrojnë në stol kanë të drejtë të marrin 4 mijë euro nga UEFA. Kjo bëhet për të ndihmuar ekipet e ndryshme dhe për të treguar se nga grumbullimi i lojtarëve nuk ka vetëm aspekt negativ.

“UEFA nuk i ka bërë kalkulimet përfundimtare, por mund të themi se shifra shkon afro 4 mijë euro për një lojtar që ka marrë pjesë në eliminatoret e Europianit”, ka thënë sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Klubeve Europiane.

Kombëtarja

Shpeshherë lista e Kombëtares shqiptare është e mbipopulluar me futbollistë që nuk aktivizohen në Kategorinë Superiore, por ky fakt nuk ka penguar që Skënderbeu, Partizani dhe Tirana të përfitojnë. Skuadra kampione ka pasur gjithmonë prezent portierin Orges Shehi, i cili u sjell korçarëve 32 mijë euro.

Edhe sulmuesi Hamdi Salihi ka luajtur 3 ndeshje me Kombëtaren, që nga koha kur ishte pjesë e Skënderbeut. Mund të duken pak për këtë skuadër që me prezencën e saj në Europa Ligë fitoi miliona euro, por dhuratat i pranon edhe mbreti…

Nga prezenca në Kombëtare fiton edhe Partizani, me 7 prezencat e portierit Alban Hoxha (në stol) dhe 3 nga Emiljano Vila. Edhe bardheblutë e Tiranës do të arkëtojnë 16 mijë euro nga prezencat e Debatik Currit, por edhe 4 mijë euro nga Bulku.

Të huajt

Rrallëherë ndodh që në klubet shqiptare të luajnë futbollistë të huaj që grumbullohen nga kombëtaret e tyre, por fati i ka buzëqeshur Flamurtarit. Treshja gjeorgjiane Popkhaze-Gelazhvili-Tshakadaze ka luajtur plot 13 ndeshje në total me kombëtaren e tyre (në kohën kur ishin lojtarë të Flamurtarit). Ky fakt shton në arkat e vlonjatëve 52 mijë euro.

Edhe 3 skuadrat e sipërpërmendura kanë pasur në përbërjen e tyre futbollistë që kanë luajtur me kombëtare të tjera.

Skënderbeu arkëton 16 mijë euro nga Ventislav Hristov (4 ndeshje me Bullgarinë), ndërsa mbrojtësit Ristevski dhe Cuculi i sjellin Partizanit dhe Tiranës përkatësisht nga 12 mijë euro sepse janë grumbulluar 3 ndeshje me Maqedoninë.

Rregulli
Nga premioja e UEFA-s nuk mund të përfitojnë të gjitha klubet. Rregulli e përcakton qartë që vetëm futbollistët, të cilët janë prezentë në fushën e lojës dhe në stol, mund të mbushin arkat e klubeve të tyre.

4 mijë euro është vlera që përfiton një klub futbolli për një lojtar që ka qenë pjesë e eliminatoreve të kampionatit Europian “Francë 2016”. Në fazën finale shifrat ndryshojnë, por edhe rregulli gjithashtu.

Parashikohet 5.800 euro për çdo lojtar

Sekretari i Shoqatës së Klubeve Europiane zbuloi edhe një tjetër fakt interesant. Përveç 100 milionë eurove që janë akorduar për fazën eliminatore të Europianit, skuadrat që do të çojnë lojtarë në Europian të kenë mundësi të ndajnë mes tyre 50 milionë euro.

Mishele Centerano tha se mesatarisht një klub mund të përfitojë 5.800 euro për çdo lojtar që dërgon në kombëtare, por UEFA ende nuk e ka vendosur përfundimisht mënyrën se si do të ndahen këto para.

“Do të përcaktohet më vonë mënyra ekzakte se si do të ndahen këto para. Në dijeninë time mund të shkojnë afro 5.800 euro për çdo lojtar”, tha Centerano. Në këtë mënyrë, klubet e vogla kujdesen që yjet e skuadrave të tyre t’i promovojnë sa më shumë, që ata të jenë pjesë e Europianit.

(d.b/PanoramaSport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb