Pak më shumë se tre muaj para finales, organizatorët e Konkursit të Këngës “Eurovision 2021”, i planifikuar në Roterdam më 18, 20 dhe 22 maj, e përjashtojnë idenë që gara e 65-të të mund të zhvillohet normalisht.

Për këtë arsye, ata do t’i përqendrojnë përpjekjet e tyre në një ngjarje që garanton distancimin shoqëror, duke mbajtur realisht në tryezë mundësinë e ndryshimeve të masave në javët e ardhshme, të bazuar në evolucionin e pandemisë.

“Konkursi i Këngës “Eurovision” me siguri do të rikthehet në maj pavarësisht nga pandemia, por në rrethanat aktuale është fatkeqësisht e pamundur që ngjarja të zhvillohet në mënyrën siç jemi mësuar”, shpjegoi Martin Österdahl, mbikëqyrësi ekzekutiv i konkursit.

“Siguria, shëndeti dhe mbrojtja e të gjithë pjesëmarrësve në Konkursin e Këngës “Eurovision”, nga ekipet e punës te artistët, është përparësia jonë kryesore”, shtoi ai.

Österdahl sqaroi se organizatorët po ndjekin nga afër zhvillimet ndërkombëtare dhe se po vazhdojnë të shqyrtojnë dhe planifikojnë tre skenarë të rishikuar (B, C dhe D), të shpallur për herë të parë vjeshtën e kaluar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: