Një këngë me mesazh politik ka zgjedhur Ukraina të përfaqësohet në Eurovizionin që do të mbahet në Suedi.

Kënga e kënduar nga ‘Jamala’ flet për eksodin masiv që ka bërë Joseph Stalini të rreth 240 mijë tatarëve të Krimesë në vitin 1944.

Susana Jamaladinova, e njohur me emrin skenik si Jamala, të dielën fitoi votat e teleshikuesve dhe të jurisë për ta përfaqësuar vendin e saj në Stokholm me këngën që mban titullin pikërisht “1944”.
Vet 32-vjeçarja është një tatare nga Krimea dhe ka folur sesa e rëndësishme është që njerëzit ta dinë të vërtetën e atij kapitulli të tmerrshëm që Parlamenti ukrainas e ka quajtur gjenocid.
“Mesazhi kryesor është që ta kujtojmë dhe ta dimë historinë. Kur e dimë, të paktën ta parandalojmë, të mos e lejojmë të përsëritet”, ka theksuar Jamala.

Qeveria e Stalinit i ka akuzuar tatarët se kanë bashkëpunuar me forcat naziste që e kishin pushtuar gadishullin e Krimëse dhe në vitin 1944 i kishte përzënë nga shtëpitë e tyre drejt Azisë qendrore dhe pjesëve tjera të Bashkimit Sovjetik. Rreth 20 deri në 50 për qind të të deportuarve vdiqën brenda dy vitesh në azil.

Zgjedhja e kësaj kënge do t’i shtojë akoma më shumë tensionet gjeopolitike ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës kur kihet parasysh se rusët e aneksuan Krimenë në vitin 2014.

Në përgjithësi, këngët politike nuk lejohen të marrin pjesë në Eurovision, mirëpo pritet të shihet se çfarë do të vendosë bordi i festivalit pas 14 marsit.

Nëse një këngë i thyen rregullat, atëherë kërkohet nga vendi pjesëmarrës që ta ndryshojë tekstin ose këngën në përgjithësi.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: