TIRANE

Pas gjashtë javësh përgatitje, “Eurovision: Europe Shine A Light” do të transmetohet sonte më 16 maj në orën 21:00.

Në vend të asaj që do të kishte qenë një finale e madhe në Rotterdam të Holandës, shfaqja do të prezantojë artistët e zgjedhur për vitin 2020, përmes transmetimit virtual.

Koncerti “Eurovision: Europe Shine A Light” do të sjellë audiencën në të gjithë Evropën dhe në mbarë botën së bashku në festë. Shfaqja, që transmetohet në vend të finales së madhe të garës të parashikuar të mbahej si edicioni i 65-të të “Eurovision”-it, do të transmetohet në kanalin YouTube në mbi 40 shtete. Fstivali këte vit do të jetë ndryshe dhe në respekt te njerezve te prekur nga kriza e COVID-19.

Mikpritëse e këtij edicioni online do të jetë NikkieTutorials, krahas prezantuesve: Edsilia Romble dhe Chantal Janzen dhe Jan Smit, shkruan Eurovision.Tv.

“Eurovision: Europe Shine A Light” do të transmetohet drejtpërdrejt në të gjithë Evropën nga transmetuesit publik të dy vendeve pjesëmarrëse dhe jo-pjesëmarrëse.

Shfaqja live pritet të zgjasë afërsisht dy orë dhe do të jetë në dispozicion në të gjithë botën, përveç Mbretërisë së Bashkuar dhe Ukrainës.

Shqipëria do të prezantohet sonte në formatin virtual nga artistja që ishte përzgjedhur për ta përfaqësuar vendin, nëse “Eurovision”-i do të mbahej në kushte normale, Arilena Ara me këngën “Fall from the sky”.

Shfaqja ishte parashikuar të nderonte 41 delegatët e përzgjedhur nga vendet pjesëmarrëse të vitit 2020 në një format jo konkurrues. Përveç interpretimit live të këngëve të tyre nga shtëpia, koncerti gjithashtu do t’i përmbledhë performancat nga secili shtet në një shfaqje unifikuese.

Fansat nga e gjithë bota do të formojnë një kor të madh virtualisht dhe do të këndojnë së bashku këngën “What’s Another Year” të Johnny Logan.

Të ftuar special që do të argëtojnë fansat e “Eurovision”-it sonte nga shtëpia përfshijnë Mans Zelmerlow i Suedisë, i cili do të këndojë këngën e tij fituese të vitit 2015, “Heroes”, Marija Serifoviv, fituese e vitit 2007 për Serbinë dhe Netta (Izrael, 2018) të cilët do të këndojnë në version akustik këngët me të cilat fituan “Eurovision”-in.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb