E ftuar në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte aktorja aq e dashur për publikun shqiptar Eva Alikaj.

Aktorja foli gjatë për rolet e saj të shumtë dhe të suksesshëm që kanë mbetur në memorien e të gjithëve shqiptarëve. Teksa u pyet se kë nga rolet do të veçonte, aktorja tha se rolin e saj të parë, të Verës te “Njeriu i mirë” do ta cilësonte si rolin e jetës pasi e ndjen më afër karakterit të saj, “Më pëlqen shumë, madje edhe mënyra si më kanë ndenjur flokët”.

Gjatë bisedës Eva Alikaj ndau trishtimin e madh që ndjen për faktin se asaj i mungojnë ftesat për në skenë dhe mundësitë për të qenë pranë publikut janë të pakta.

Sipas Evës, kinematografia shqiptare prej gati 30 vjetësh është në gjendje jo të mirë pasi artistët e brezit të saj pas viteve ‘90 në njëfarë mënyre u lanë mënjanë, “Në vitin ‘90 nuk e filluan aty ku u la. Le të kishte gjëra të reja por jo të lihej mënjanë ai brez me aktorë të shkëlqyer. Në atë kohë aktorët ishin elitarë. Unë mendoj se asokohe e kemi bërë më të bukur Shqipërinë”.

Aktorja Eva Alikaj u shpreh se atëherë kishte një këshill artistik i cili vendoste, ndërkohë sot mungon diçka e tillë.
Eva Alikaj u surprizua me dy videomesazhe shumë të bukura në program, nga aktroja po aq e dashur për publikun shqiptar Zamira Kita dhe nga aktori Ilir Bezhani me të cilin aktorja ndan kujtime shumë të jashtëzakonshme nga komedia “Pallati 176”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb