TIRANE

Plani operacional i nisur nga qeveria në 12 qarqet e vendit është fokusuar edhe tek bizneset e mëdha të karburanteve. Janë 1200 subjekte që ushtrojnë veprimtari në sektorin e hidrokarburave që do të jenë në fokus të drejtorisë së tatimeve dhe asaj të metrologjisë. Sipas drejtorëshës së tatimeve Delina Ibrahimaj ky kontroll ushtrohet pasi ka pasur shkelje në regjimin fiskal.

“Legjislacioni në fuqi nuk lejon që karburantet të shesin në regjim manual pra nëse karburantet kanë një problem me funksionimin e pompës dhe nuk mund te printojnë kasa ato do të duhet të nderpresin shitjen e tyre dhe të raportojnë tek administrata tatimore apo tek kompanitë e kasave nese ka problematike me kasat. Gjetjet e hetimit të kryer gjatë muajve të fundit që konkluduan me arrestimin e dy personave këtë javë kanë konstatuar se në shume karburante bëhen ndërhyrje në pompat e tyre duke i kaluar nga regjimi automatik në regjim manual.

Qëllimi i inspektit është pikerisht identifikimi i këyre karburanteve, certifikimi i regjimit automatik në rast se karburantet do të gjenden se janë duke operuar në regjim manual atëherë do të bllokohen nga inspektoret e tatimeve. Në momentin që ato janë në regjim automatik do certifikihen nga drejtoria e metrologjisë dhe do të plumbcosen po nga ajo. Në mënyrë që nëse do të ketë raste të përseritura të karburanteve që operojnë në këtë regjim inspektoret tatimore do të kenë mundesi të verifikojne regjimin dhe në të kaluarën. Ne do të prekim të gjithë territorin e vendit janë 1200 subjekte dhe rreth 3200 pompa të cilat do të inspektohen dhe do të plumbcosen.” -u shpreh Ibrahimaj.

Gjatë konferencës për shtyp, Drejtoresha e Tatimeve bëri një bilanc të kontrolleve që nisen në terren nga data 1 deri në 31 korrik. Mbi 41 për qind e bizneseve që u kontrolluan në këtë periudhë në kuadër të planit operacional kundër informalitetit janë gjetur me shkelje. Në total u kontrolluan 1933 subjekte.
Ndërsa shkeljet ishin të natyrave të ndryshme, por dominuan ata që nuk lëshonin kupon tatimor. Plani operacional prej disa ditësh është rikthyer në fokusin e qeverisë,pas aksionit që u shtri në të gjithë vendin në 2015-tën.

Deklarata e Plotë:

Jam këtu përpara jush, për t’ju njohur me bilancin e Planit Operacional kundër informalitetit gjatë muajit korrik dhe mënyrën sesi ai do të vijojë, i shtrirë në të gjithë sektorët e konstatuar me risk dhe me fokus kryesor tek subjektet “biznes i madh”, kryesisht në Hidrokarbure Ndërtim dhe Hoteleri.

Për arsye të specifikave të sezonit turistik, strukturat e Monitorimit në Terren, në bashkëpunim me DPD, Inspektriatin e punës, ISHTI, gjatë periudhës 01-31 Korrik, kanë kontrolluar 1,933 subjekte, ndërsa janë konstatuar 803 shkelje të legjislacionit tatimor. Kemi identifikuar dhe po vazhdojmë të monitorojmë, regjistrimin e njësive akomoduese, deklarimin e punonjësve dhe respketimin e detyrimeve të tjera ligjore, për të vendosur rregullat e konkurencës së ndershme për të gjithë.
Shkeljet më kryesore renditen si më poshtë:
· 108 subjekte janë konstatuar të paregjistruara në organet tatimore, për të cilët është marrë masa e bllokimit deri në momentin e regjistrimit të tyre pranë QKB dhe organeve tatimore.
· 195 tatimpagues të penalizuar për shkeljen e moslëshimit të kuponit tatimor (rasti i parë), ndërsa 15 tatimpaguesve u janë bllokuar ambientet për 30 ditë kalendarike për moslëshim kuponi tatimor (hera e dytë).
· 92 tatimpagues janë penalizuar pasi janë konstatuar me punonjës të padeklaruar.
· 42 tatimpagues janë konstatuar se nuk kanë pasur të instaluar pajisjet fiskale dhe 26 të tjerë nuk i mbanin pajisjet fiskale në gjendje pune.
· 82 tatimpagues janë konstatuar se dispononin mallra pa dokumentacion tatimor.
Krahas strukturave të Monitorimit në terren, Hetimi Tatimor, gjatë muajit Korrik ka referuar mbi 30 dosje në prokurori, kryesisht me subjekte të mëdha që operojnë në fushën e ndërtimit dhe të hidrokarbureve.

Plani Operacional do të vazhdojë për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e hidrokarbureve, ku janë të nevojshme vizita fiskale të thelluara për të identifikuar, parandaluar dhe luftuar evazionin fiskal, falsifikimin e dokumentave dhe ndërhyrjet në pompat e karburanteve.

Në lidhje me sistemet fiskale të karburanteve, në vijim të gjetjeve të Hetimit Tatimor, të cilat konkluduan në arrestimin e dy personave, nga sot, me Urdhër të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, (DPM) do të kryejnë inspektime të përbashkëta pranë subjekteve të tregtimit të hidrokarbureve me qëllim verifikimin e përmbushjes së detyrimeve ligjore nga ana e tyre dhe çertifikimin e regjimit, i cili duhet të jetë automatik.

Inspektimi do të mbulojë të gjithë territorin e vendit, në të gjitha pompat që mundësojnë ndryshimin e regjimit nga automatik në manual; për pompat e bllokuara nga strukturat e hetimit tatimor të evidentuara duke transmetuar në regjim manual; si dhe në të gjitha rastet e tjera;
Do të bëhet çertifikimi teknik dhe plumbçosja e tyre, nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë nën mbikëqyrjen e Inspektoreve Tatimor.
Ky proces i çertifikimit të regjimit automatik në tregtimin e hidrokarbureve, është në vazhdën e Planit të gjerë operacional kundër informalitetit, i cili përgjatë gjithë muajit Gusht do të fokusohet tek karburantet, për të garantuar respektimin e rregullit “pa kupon s’ka karburant”, për të gjithë operatorët në këtë sektor, duke nisur nga më të mëdhenjtë deri tek më të vegjëlit.

I gjithë plani operacional , synon formalizimin e ekonomisë shqiptare me qëllim që paratë e konsumatorëve të shkojnë për përmirësimin e shërbimeve ndaj tyre, për investime në arsim, shëndetësi, infrastrukturë publike dhe jo në xhepat e bizneseve abuzuese, të cilët cënojnë konkurencën e ndershme dhe mirqënien e individëve.

Do të jemi në vijimësi përpara jush, me një komunikim transparent dhe të rregullt mbi rezultatet e punës sonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb