Në shtator Shqipëria do të presë për herë të parë Kampionatin Europian të klubeve të shahut për meshkuj dhe femra. Në një intervistë për News 24, presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Erald Dervishi, zbuloi disa nga detajet e këtij eventi madhështor.

 

 

Ju vitin e kaluar u zgjodhët president i federatës ballkanike të shahut, si dhe u riemëruat Drejtor Ekzekutiv i Unionit Evropian të Shahut, sa kanë ndikuar këto në lobimin tuaj për të sjellë në Shqipëri Kampionatin e klubeve evropiane të shahut në vendin tonë? Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?

Nuk diskutohet që eventet që po organizojmë këtë vit janë evente madhore. Pak javë më parë përfunduam Kampionatin Evropian të Shkollave, një event që solli 400 pjesëmarrës në Shqipëri nga e gjithë Europa. Në shtator-tetor 2023 na është besuar Kampionati Europian i Klubeve, i cili është eventi më i rëndësishëm. Pjesa e lobimit nuk diskutohet që ndikon. Lobimi është një pjesë, puna e mirë është një pjesë tjetër.

Sa klube të shahut nga Evropa do të marrin pjesë?

Ne shpresojmë sa më shumë. 80 ose 90 klube themi ne. Ky kompeticion do të jetë edhe për meshkuj dhe femra. Besojmë se do jetë pjesëmarrje e lartë. Pjesëmarrja totale do jetë gati 1000 vetë, ku do marrin pjesë shahistë apo gazetarë.

A do të marrin pjesë kampionë evropianë dhe botërorë, psh si kampioni në fuqi Magnus Karlsen?

Ky është eventi më i rëndësishëm europian. Ky është një nga 2-3 eventet më të rëndësishme botërore. Do të marrin pjesë shahistët më të mirë në botë. Hijeshinë këtij eventi ia shton prezenca e Magnus Carlsen, i cili pritet të marrë pjesë. Jo besoj por është e konfirmuar. Hera e parë që do të marrë pjesë në Shqipëri.

Po Shqipëria, si vend organizator, me sa klube do të përfaqësohet, sa shahistë priten të jenë nga vendi ynë?

Minimalisht do të ketë 2 ekipe femrash dhe 2 meshkuj. Shpresoj të arrijmë 3+3. Kemi ekipe të mira. Shpresojmë që të forcohen gjatë kësaj periudhe.

Përveç promovimit, çfarë rezultati prisni nga klubet dhe shahistët shqiptarë?

Ne kemi ekip të mirë femrash. Shpresoj që të shkojmë në 5-6 vendet e para. Normalisht nuk do jetë e lehtë. Edhe nëse nuk arrijmë vendet e para, do jetë mundësi e mirë. Ne po mundohemi t’i mbështesim sa më shumë, sepse kjo do jetë e ardhmja.

Keni marrë titullin “Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar” dhe je i vetmi me këtë titull, mendoni se në të ardhmen Shqipërinë mund të ketë një të dytë që të nderohet kështu?

Patjetër që do ketë. Një nga arsyet që po përpiqem për t’i dhënë një shtysë këtij sporti është kjo. Po bëjmë një punë të mirë ne brezat e rinj. Përvecc masivizimit, kemi arritur të korrim edhe frutet e para. Kemi grup të talentuar fëmijësh.

Cilat janë ambicie e radhës së Federatës Shqiptare të Shahut, po projektet e këtij sporti për ta masivizuar dhe zhvilluar?

Aktualisht ne po merremi në mënyrë serioze për të implentuar shahun në shkollat 9 vjeçare. Në Tiranë dhe Durrës po arrijmë sukses. Po kërkojmë ta përfshijmë atë edhe në vende të tjera. Ne do kemi Qendrën Ballkanike të Shahut. Shqipëria po bëhet qendër shahistike në Europë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: