Përmes një videoje të publikuar në rrjetin e saj social, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi ka përcjellë mesazhin e disa të rinjve të punësuar në institucione të ndryshme nëpërmjet thirrjes së fundit të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, të cilët ftojnë të rinjtë e tjerë të aplikojnë deri më 31 korrik në Thirrjen VI të këtij programi.

“Një mesazh nga të rinj e të reja për Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, të cilët kanë përfituar kontratë 1-vjeçare pune në institucione të ndryshme! Ndërkohë, aplikimet për THIRRJEN VI të këtij programi vazhdojnë deri më datë 31 korrik! Apliko dhe mos e humb mundësinë! 👉 Aplikimet nëpërmjet 🔗 http://praktika.arsimi.gov.al” – shprehet Ministrja Kushi.

Aplikimi për “Thirrjen VI” të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës është i hapur për të rinjtë mes moshës 21-26 vjeç, të cilët kanë përfunduar minimalisht ciklin e parë të studimeve “Bachelor” dhe nuk kanë qenë pjesë e programit gjatë thirrjeve të mëparshme.

Pas mbylljes së aplikimeve më datë 31 Korrik 2021, institucionet përkatëse do të lajmërojnë nëpërmjet postës elektronike të përzgjedhurit për të filluar praktikën 3- mujore, në periudhën 16 gusht – 16 nëntor 2021.

Pjesëmarrësit do të përfshihen në një përvojë pune, në ndërveprim me profesionistët në administratën publike, institucionet e tjera publike, njësitë e vetëqeverisjes vendore, dhe shoqëritë tregtare, me qëllim përfitimin e njohurive praktike, pasurimin e jetëshkrimit të tyre, zgjerimin e rrjetit të kontakteve, aftësimin e mëtejshëm për punën në grup, përshtatshmërinë me ambientin e punës, ndërmarrjen e iniciativave etj. Ndërkohë, pas përfundimit të praktikës 3-mujore, rreth 200 praktikantëve me performancën më të mirë do t’iu ofrohet mundësia e lidhjes së një kontrate 1-vjeçare pune.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb