NGA FATMIRA NIKOLLI

Kaosi i krijuar në bregdet me ndërtime të paligjshme, që ngrenë krye në zona të ndryshme, me dhe pa leje, e gjithsesi të pavend, ka krijuar një tjetër imazh të peizazhit natyror të Shqipërisë. Herë dy e herë tri katëshe, herë godina përdhese që nuk iu përshtaten zonave ku kanë vënë themelet, herë të përfunduara e herë të lëna në mes si zgërdalla betoni, ndërtimet e pas 1990-ës duket të kenë krijuar një rast të rrallë në mënyrën se si mosrespektimi ose mungesa e planeve urbanistike, mundet të shndërrojë a ta transformojë një zonë, e më tej një shtet. Përballë strukturave gjysmake në ndërtim, janë vënë 32 arkitektë, për të ofruar mendimin ose qasjen e tyre mbi mënyrën se si këto mund të përshtaten, ose si mund të jenë më në harmoni me natyrën, peizazhin ku kanë zënë vend.

Arkitektët gjysma shqiptarë e gjysma italianë, janë vënë përballë imazheve të ngrehinave, dhe vetëm mbi këtë të dhënë, u është kërkuar të japin një qasje ndryshe, një mendim të tyrin profesional: A munden këto struktura të kenë edhe potencialin tjetër? “Evoked – architectural diptychs” është ekspozita që çelet në galerinë “FAB” tek Universiteti i Arteve nga data 22 shkurt deri më 6 mars. Ekspozita EVOKED sjell një vështrim ndryshe mbi dukurinë e ndërtimeve informale që ‘vërshuan’ në mënyrë të pakontrolluar në territorin shqiptar që prej vitit 1991.

“Ndërtimi i papërfunduar dhe mënyra e pazakontë e përdorimit të strukturave ende ‘në ndërtim’ ka prodhuar një imazh tashmë karakteristik, që ka ndryshuar peizazhin, sidomos në bregdet”, thonë organizatorët. Sipas tyre, duket se është koha për të kthyer vëmendjen drejt këtyre strukturave, të cilat sot zënë një pjesë të konsiderueshme të peizazhit të ndërtuar. Kërkohet reflektim mbi mënyrën e përdorimit të tyre dhe marrëdhënien që mund të rivendosin këto ndërtime me peizazhin. Nisur nga 16 fotografi të Albes Fushës dhe këndvështrimet e 32 arkitektëve shqiptarë dhe italianë, të pasqyruar brenda kornizave të kufizuara, dëshirojmë të çelim një diskutim të hapur mbi temën e peizazhit të ndërtuar informalisht dhe të banuar ndërkohë që është ende ‘në ndërtim’, për të zbuluar potencialin e këtyre strukturave. Gjithashtu, duke hulumtuar degradimin dhe shkallën e rrënimit të peizazhit, synojmë t’i japim këtij peizazhi një dinjitet të ri mjedisor dhe legal. Kuratorët e ekspozitës janë Adelina Greca, Albana Koçollari, Anna Bruna Menghini, Domenico Pastore, Frida Pashako, Giuseppe Resta.

Fotografitë janë realizuar nga Albes Fusha. Arkitektët shqiptarë që marrin pjesë janë: Agim Baboçi, Arben Biçoku, studio B&L, Taulant Dano, Eled Fagu, Erka Godo, Arben Golemi, Albana Koçollari, Agron Lufi, Kreshnik Merxhani, Maks Mitrojorgji, Artan Raça, Dorian Tytymçe, Pirro Vaso, Maks Velo, Armando Vokshi. Ndërsa arkitektët pjesëmarrës italianë janë: Studio ma0, L. Galofaro, Carmelo Baglivo, Studio BOMA, Cherubino Gambardella, Carlo Moçia, Beniamino Servino, Davide Vargas, Studio 2A+P/A, Fabio Alessandro Fusco, Lorenzo Netti, Studio Spacelab, Michele Beçu, Luca Ruali, Mateo Ghidoni, Studio OfCA. Ekspozita organizohet nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Politekniku i Barit dhe INTBAU Albania me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës.

Ekspozita do të shoqërohet nga një katalog. NISMA Adelina Greca, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Kombëtare të Planifikimit Urban, shënon se “Evoked’ është një hulumtim pamor mbi ndërtimet informale shqiptare”. Sipas saj, vala e 1990-ës i gjeti qytetet bregdetare të papërgatitura ndërsa rritja e nevojave për strehim krijoi një tipologji të re të organizimit të tokës bazuar në shfrytëzimin parazitar përgjatë bregdetit, aty ku ndërtesat prej betoni filluan të shfaqeshin gradualisht. “Arsyet pse territori shqiptar është ndërtuar masivisht dhe pa një plan të përcaktuar që nga fillimi i viteve 1990, janë të shumta. Rezultati i ndërtimeve informale në Shqipëri vështirë se ngjason me ndonjë formë të ndërtimit informal në të gjithë botën”, thotë Greca.

Ajo vëren se këtu, ndërtimet informale janë ngritur me materiale të qëndrueshme e të kushtueshme dhe disa janë të papërfunduara, të larta ose me një perspektivë të qartë, për tu bërë edhe më të larta, me funksione të ndryshme dhe në vende të pamenduara, të cilat nuk marrin në konsideratë peizazhin urban apo atë natyror, si në aspektin e rreziqeve natyrore apo nga aktivitet industriale”. Në këtë pikë, vihet në dukje fakti se vendndodhja e pahijshme e ndërtimeve të paqeverisura u ka shkaktuar shpesh dëme banorëve, pra përdoruesve. “Por ka edhe një tjetër të vërtetë. Këto ndërtime kanë qenë shkak për ngjarje të rënda. Në shumë raste përmbytjet e tokave bujqësore ka qenë rezultat i ndërtimit formal, erozioni bregdetar është nxitur dhe përshpejtuar nga këto ndërtime të shkaktuara kryesisht nga nisma individuale, shumë aksidente rrugore kanë ndodhur për shkak të mungesës së hapësirës në rrugë si pasojë e ndërtimeve të paligjshme”,- vëren Greca, duke shtuar se “këto janë vetëm disa nga pasojat më të dukshme e të matshme të ndërtimit informal”.

Drejtorja e Agjencisë së Kombëtare të Planifikimit Urban në këtë pikë, nënvizon se kjo ka sjellë mjaft dëme në ekonomi si në nivelin e individit ashtu edhe në ekonominë kombëtare në tërësi pasi ka dëmtuar peizazhin urban dhe rural dhe ka sjellë ndryshime të rëndësishme dhe shpesh negative mbi stilin e jetës familjare. “Ne kemi kontribuuar në ekspozitën ‘EVOKED’ e cila sjell një vizion të mbi fenomenin e shtëpive informale e të pakontrolluara në Shqipërinë e pas 1990-ës. Ndërtesat e papërfunduara dhe mënyra e pazakontë e përdorimit të lehtësirave për ndërtime ka prodhuar një peizazh karakteristik. Është i nevojshëm reflektimi mbi marrëdhënien e këtyre godinave me peizazhin”, thotë një prej pjesëmarrësve.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: