Nga Dr. Ani Bajrami*

Kjo është nga shprehjet e Sabiha Kasimatit pas arrestimit, sipas dëshmisë së Didi Biçakut, shoqe në qeli.

Në regjimet totalitare, janë të njohura sulmet dhe vrasjet e kundërshtarëve ideologjikë, si një mënyrë për të ndërtuar një ndërgjegje të re kolektive dhe për të shuar zërat ndryshe.

Një nga rastet tragjike të dokumentuara në vendin tonë, është dhe ai i vrasjes së 22 intelektualëve në 26 shkurt të vitit 1951.

Pas shpërthimit të fuqishëm në oborrin e Legatës Sovjetike në mbrëmjen e 19 shkurtit në vitin 1951 në Tiranë,  funksionarë të lartë të shtetit vendosën marrjen e masave ndëshkuese.

Nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike një ditë më vonë, u vendos burgosja dhe pushkatimi i kundërshtarëve ideologjikë.

Ndërkaq, Sigurimi i Shtetit kishte hartuar listat e “të rrezikshmëve” që do të arrestoheshin, sëbashku me të dhënat e tyre biografike, aktivitetin para dhe pas luftës, etj. Arrestimet u kryhen menjëherë.

Kështu, në 26 shkurt, u vendos të pushkatoheshin pa gjyq 22 intelektualë, në shkelje të hapur me ligjet dhe kushtetutën e vendit.

Sabiha
Sabiha

Një prej viktimave ishte dhe biologja e parë shqiptare, Sabiha Kasimati. Në përfundim të studimeve në Universitetin e Torinos, ajo paraqiti tezën e saj, ku përshkruhen llojet dhe klasifikimi i peshqve të ujrave të ëmbla të Shqipërisë, si dhe jepen konsiderata për zhvillimin e iktiokulturës në vendin tonë.

Tre vite më vonë, në vitin 1943, Sabiha Kasimati hodhi idenë e krijimit të një Muzeu të Shkencave. Pak përpara se të vdiste, u botua monografia e saj shkencore “Peshqit e Shqipërisë” , e para e llojit të vetë në vendin tonë. Kjo monografi nuk gjendet. Zhdukja e saj gjatë regjimit mund të konsiderohet një vdekje e dytë për Sabiha Kasimatin.

Por ndryshimi është vërtetë në natyrën e gjërava, si pohoi dhe biologja e parë shqiptare.

Pas rënies së regjimit, Sabiha Kasimati u nderua me “Urdhrin Nderi i Kombit” ndërsa Muzeu i Shkencave të Natyrës mori emrin e saj, si shenjë vlerësimi  dhe nderimi për kontributin e saj shkencor.

Emri i saj, qëndron në panteonin e figurave të shquara shqiptare të shkencës.

*Antropologe

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb