Vendet evropiane kanë zgjedhur të injorojnë masakrën e organizatës terroriste YPG/PKK ndaj civilëve në Munbixh të Sirisë në fillim të kësaj jave dhe të japin përgjigje të paqarta në pyetjet për qëndrimin e tyre mbi këtë çështje.

Pa përmendur YPG/PKK-në, zëdhënësi i punëve të jashtme të BE-së, Peter Stano, tha se blloku është në dijeni për viktimat në Munbixh dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të zbatojnë një armëpushim.

“BE-ja vazhdon t’u bëjë thirrje të gjitha palëve të konfliktit në Siri të respektojnë plotësisht ligjin ndërkombëtar humanitar, i cili përfshin detyrën për të mbrojtur civilët”, tha ai.

Nga ana tjetër, Britania theksoi nevojën për vazhdimin e armëpushimit dhe mbrojtjen e civilëve në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme gjermane, Maria Adebahr, tha se ajo nuk është në dijeni të ndonjë raportimi në lidhje me vrasjen e tetë civilëve në Munbixh nga ana e PKK-së.

Ministria e Jashtme franceze nuk pranoi të përgjigjej në asnjë pyetje mbi këtë çështje.

Ndryshe, gjatë protestave në Munbixh të hënën dhe të martën kundër rekrutimit të detyruar, tetë persona u vranë dhe 27 të tjerë u plagosën pasi terroristët e YPG/PKK-së hapën zjarr ndaj tyre.

Grupi terrorist kërkon të rekrutojë anëtarë nga zonat e okupuara, duke përfshirë Ayn al-Arab (Kobani), Qamishli, al-Malikiyah, Darbasiyah, al-Hasakah, Raka, Deirizor dhe Munbixh.

Turqia kërkon që grupi terrorist të dalë nga Munbixhi, i cili u pushtua ngaYPG/PKK-ja në gusht të vitit 2016.

Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e cilësuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40.000 njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega e saj siriane.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb