Mbrëmja e kësaj të shtune, do të shënojë dhe fituesin e Eurovision 2021, e cila këtë vit, po zhvillohet në Rotterdam të Holandës.

Plot 26 shtete do të konkurrojnë për çmimin fitues, që njëherësh, përcakton edhe vendin ku do të mbahet Eurovisioni vitin e ardhshëm. Shqipëria, këtë vit përfaqësohet nga këngëtarja Anxhela Peristeri, e cila, vjen në këtë festival me këngën “Karma”.

Këngëtarja e dashur për publikun, e cila shkëlqeu në natën gjysmëfinale ka dhënë një intervistë për median kosovare “Telegraf”. Fjalën e saj në këtë intervistë, Peristeri e ka nisur me emocionet që e kapluan në momentin ku u kualifikua në finale.

“Eurovisioni është një skenë aq e madhe, me një audiencë aq të madhe sa që kontrollimi i emocioneve gjatë performimit është shumë i vështirë. Në momentin që dëgjuam se ishim në finale, isha shumë e lumtur dhe emocione te jashtëzakonshme që është vështirë të përshkruhet sidomos kur aspak nuk e prisja që ne të emërohemi si kualifikuesi i parë. Ishte një moment shumë i bukur”, ka thënë Anxhela Peristeri.

Sakaq, Anxhela ka treguar edhe emocionet e natës së sotme, ku në mënyrë të veçantë kishte një thirrje për të gjithë shqiptarët e diasporës që ta votojnë.

“Emocionet gjithnjë janë në rritje kur afrohet ora e performimit, jam shumë e lumtur që arritëm në finale dhe do e përfaqësojmë gjithë shqiptarët anembanë dhe muzikën shqiptare.

Jam shumë falenderues për votat e shqiptarëve në diasporë në natën e gjysmëfinales, sonte gjithashtu dhe një herë pres mbështetjen e tyre për ta ngjitur sa më lartë Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët në këtë edicion. Sonte, performoj me numrin 02, dhe shpresoj të marr mbështetjen e gjithë shqiptarëve dhe një herë”, ka thënë Anxhela Peristeri.

Mbështetjen, këngëtarja e dashur për publikun ia kërkoi shqiptarëve edhe në rrjete sociale, ku publikoi foto me kodin e saj në këtë festival, si dhe të gjitha numrat e shteteve përkatëse nga ku mund të votohet.

LEXO: Nata finale e Eurovision, Anxhela Peristeri thirrje shqiptarëve jashtë vendit: Votoni me kodin 02
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb