Pas shumë muajsh bisedimesh, lëshimesh dhe tratativash, më 19 Maj 2025 në të famshmen “Lancester House” në Londër u nënshkrua Marrëveshja e Partneritetit Strategjik midis Britanisë së Madhe dhe BE-së. Të pranishëm në ceremoninë e rastit ishin negociatorët, si dhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, dhe Komisioneri i Tregtisë dhe Sigurisë Ekonomike të BE-së, Mario Sefcovic; ndërsa nga mikpritësit Kryeministri Starmer, Ministri i Jashtëm David Lammy, Ministri i Ekonomisë Reynolds, Ministri për Europën, Symond dhe zyrtarë të tjerë të lartë, mes një interesimi të madh të medias britanike dhe asaj europiane.
Kjo marrëveshje dhe në përgjithësi afrimi dhe forcimi gjatë muajve të fundit i bashkëpunimit të Mbretërisë së Bashkuar me BE-në ishte realizimi i një premtimi zgjedhor të Kryeministrit Keir Starmer pas fitores së tij plebishiare korrikun e kaluar. Në përgjigje të ndryshimit të trendit politik në Britani, ku tani shumica jo vetëm janë kundër BREXIT, që u zyrtarizua plot 5 vite më parë, por dhe për një rihyrje në BE, ndonëse kjo është diçka e pamundur për shkak të telasheve të mëdha proceduriale dhe vështirësive të tjera për Britaninë.
Kjo Marrëveshje përfshin 24 aspekte themelore, të cilat në fakt janë kapituj jetikë me ”një listë të gjatë” siç u shpreh Kryeministri Starmer. Ato mbulojnë të fushat politike, publike, sociale, ekonomike, turistike dhe konsullore.
Ato fillojnë me lehtësitë e mëdha europiane ndaj eksportit të artikujve tradicionalë ushqimorë britanikë, sidomos salçiçet, hamburgerat dhe sardelet, në këmbim të lejes britanike për anijet franceze për të peshkuar në ujrat britanike dhe për 12 vite të tjera. Kjo e fundit është një arritje e shënuar e realizuar mes shumë vështirësish, për shkak të ndjeshmërive britanike dhe skoceze me peshkun, edhe pse ai ze vetëm 0,4 për qind në GDP-në e vendit. Madje Starmer qysh tani po akuzohet se e ka ”shitur” ose shqip tradhtuar peshkun britanik.
Marrëveshja në fjalë parasheh lehtësi të tjera të mëdha për eksportin britanik të bimëve, kafshëve dhe produkteve shtazore, duke hequr pothuajse të gjitha kontrollet dhe dokumentacionet ekzistuese në kufijtë me vendet e BE-së. Një fushë kjo shumë e rëndësishme, mbasi ky sektor ka shumë peshë në ekonominë britanike.
Fushë tjetër jetike, ku gjithsesi mbetet ende shumë punë për të bërë për konkretizimin e saj është lëvizja e lirë e britanikëve në vendet e BE-së, sidomos për rininë dhe studentët. Këtu u hasën shumë pengesa, mbasi ka shumë kundërshtime nga opozita dhe radikalët e partisë ekstremiste të djathtë ” Reforma”; ndaj kjo mbetet një fushë ku do të vijojnë diskutimet e mëtejshme.
Gjithsesi, u hodhën hapa të mirë në drejtim të rikthimit të programit të famshëm arsimor dhe kulturor të BE-së ERASMUS. Numri i studentëve britanikë që kanë përfituar prej tij në pesë vitet e fundit është përgjysmuar.
Lehtësi e madhe për miliona turistë britanikë është dispozita e kësaj Marrëveshjeje, e cila i lejon ata të kalojnë në portat elektronike në aeroportet e vendeve anëtare të BE-së, tamam sikur te ishin shtetas të saj, duke shmangur rradhët e gjata.
Gjithsesi, komponenti më i rëndësishëm i kësaj Marrëveshjeje historike, në frymë dhe në gërma është intensifikimi i ndjeshëm i bashkëpunimit midis BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën ushtarake, të mbrojtjes dhe të sigurisë. Ndërmjet të tjerash, Londra tani e tutje do të ketë të drejtën të marrë pjesë në takimet e ministrave të Mbrojtjes dhe të Brendshëm të BE-së, në forumet e tjera të ngjashme, etj. Tepër e rëndësishme, ajo do të ketë të drejtën të jetë pjesëmarrëse në Programin e Mbrojtjes të BE-së të mbiquajtur “SAFE” (Aksioni për Sigurinë në BE) me 150 miliard Euro që këto ditë do të nisë zbatimin e tij praktik.
Po ashtu marrëveshja në fjalë parasheh forcimin e bashkëpunimit në fushën e industrisë ushtarake dhe të mbrojtjes, prodhimin e përbashkët të armatimit modern, shkëmnimin e të dhënave ndërmjet shërbimeve sekrete, etj.
Natyrisht që kjo është ende një marrëveshje kornizë e përgjithshme, e cila do të plotësohet dhe detajohet në muajt e ardhshëm me të gjitha elementet dhe hollësitë e tjera të nevojshme. Por më e rëndësishmja ndodhi, dmth fakti që të dyja palët, 5 vjet pas ”divorcit” të tyre të hidhur dhe të kushtueshëm u mblodhën së bashku, tanimë si ” miq dhe partnerë” dhe duke çelur një kapitull të ri të partneritetit të tyre strategjik, siç u shpreh dhe Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, duke kapërcyer shumë probleme dhe pengesa është ngjarje pozitive dhe premtuese; sidomos tani kur në Europë bie era luftë. Me shumë avantazhe për të gjitha palët dhe në të gjitha fushat e sidomos në atë ekonomike dhe të mbrojtjes.
Vlen të përmendet me këtë rast se në arritjen e kësaj marrëveshjeje, veç momenteve delikate nëpër të cilat po kalojnë BE-ja dhe Britania e Madhe, me rreziqet dhe kërcënimet që paraqet vazhdimi i agresionit rus kundër Ukrainës dhe dështimi i deritanishëm i përpjekjeve për një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme mes tyre kanë patur rolin e vet të rëndësishëm dhe marrëdhëniet personale politike të vendosura ndërmjet lidershipit të ri britanik, Kryeministrit Starmer dhe atij europian në të gjitha nivelet, si me Brukselin ashtu dhe me shtetet e veçanta të tij, sidomos më Francën, Gjermaninë, Italinë, Poloninë, etj. Këto marrëdhënie ndryshojnë cilësisht nga ato me krerët e mëparshëm britanikë.
Më konkretisht, gjatë gjithë këtyre muajve të demarsheve diplomatike dhe praktike, ministri për Europën i Britanisë, Nick Tomas Symonds kishte lidhje dhe komunikim shumë të ngushtë dhe luajal me Komisionerin për Tregtinë dhe Sigurinë Ekonomike, Sefcovic, kryenegociatori i BE-së për këtë Marrëveshje.
Nëpërmjet shumë momenteve që përmenden dhe në media, është ajo e datës 10 Maj, kur Starmer udhëtonte për në Kiev me 15 ministra dhe shoqërues me ”çanta shpine” me vehte. Ndërsa Presidenti Macron shoqërohej nga 60 vetë, plus kuzhinierin personal dhe ”një mal” me pije dhe ushqime. Por Macron u tregua tejet bujar duke e ftuar në vagonin e tij Starmerin, Mercin dhe Tuskun, ku së bashku biseduan duke shijuar dhe kuzhinën franceze. Dhe në kthim ai e ftoi për një gotë verë Starmerin, duke forcuar kështu dhe më shumë miqësinë e tyre politike personale, tejet e rëndësishme në kushtet e sotme gjeopolitike.
Kësioj, udhëtimi i përbashkët i atyre katër liderëve ishte dhe një mundësi tjetër e artë për të konfirmuar lidhjet e ngushta miqësore ndërmjet tyre, si një përgjigje adekuate ndaj sfidave serioze me të cilat ata ndeshen.
Ja pra, pse me të drejtë, për këto dhe të tjera arsye, kjo Marrëveshje epokale konsiderohet si ” exit” nga Brexiti britanik, dmth ”dalje nga dalja e BE-së” edhe pse jo hyrje në të, pra jo si bashkim doganor dhe hapësire e lëvizjes së lirë.
Gjë shumë pozitive, sidomos kur tashmë është e qartë se BREXIT ishte një gabim dhe dështim fatal i Britanisë dhe partisë së saj konservatore dhe asaj radikale të djathtë që e promovuan atë, ndryshe nga laburistët e sotëm. Ka shumë tregues të humbjeve të mëdha në të gjitha fushat, duke filluar nga ajo ekonomike, të cilat janë bërë gjerësisht të njohura për publikun.
Sa i takon stabilitetit politik dhe qeveritar, mjafton të përmendet fakti se gjatë këtyre 9 viteve të fundit pas fitores së BREXIT janë ndryshuar plot 5 Kryeministra, po aq sa janë ndryshuar gjatë 37 viteve gjatë periudhës 1979 – 2016! Pa përmendur pastaj dhjetra apo qindra ministra dhe sekretarë shteti të dorëhequr, shkarkuar dhe ndryshuar gjatë pesë viteve të fundit. Mirëpo kjo mungesë stabilitetit politik dhe institucional është pasqyruar dhe në stabitetin ekonomik, social dhe tregtar. Shënojmë se Britania e Madhe hyri në BE në vitin 1971 kryesisht nisur nga interesat e saj tregtare, meqenëse BE-ja ishte dhe mbetet tregu i saj më i madh i produkteve, shërbimeve dhe kapitaleve. Për pasojë, eksportet britanike në BE pas BREXIT-it kanë rënë në masën 21 për qind.
Ndërkohë, që sot, në kushtet e rreziqeve dhe kërcënimeve të shumta të sigurisë, partneriteti i ngushtë me BE-në, pa lënë pas dore bashkëpunimin me SHBA-të dhe vendet e tjera përbën një MUST pra, domosdoshmëri për të dyja palët.
Me këtë rast do theksuar guximi politik i Kryeministrit Starmer, të cilit i duhet të lëvizë nën rrebeshe sulmesh dhe akuzash politike nga opozita konservatore dhe ajo e ekstremit të djathtë. Për fat të mirë, qeveria britanike dhe Kryeministri Starmer duken më të vendosur, me vizion dhe mbështetje të madhe popullore në këtë dhe sipermarrje të tjera politike, ekonomike dhe ushtarake që do të ndërmarrë në të ardhmen. Pa përjashtuar ndoshta dhe ndonjë kosto jo të vogël politike; por ndaj quhen liderë e jo thjesht kryetarë partish apo kryeministra që ka patur shumë; por shumë pak prej tyre kanë arritur majat e një lideri. Keir Starmer duket se kërkon të jetë pikërisht në statusin dhe staturën e një lideri të vërtetë, nën shembullin e paraardhësve laburistë e sidomos të Tony Blair.
(BalkanWeb)