TURQI – Lidhja e tij e dashurisë ka kohë që është forcuar. Gjatë kësaj vere paparacët kanë kapur çiftin teksa argëtoheshin në një nga plazhet luksoze të Stambollit, ndërkohë që vetë aktori i njohur, Kenan Imirzalioglu, ende nuk ka bërë ndonjë rrëfim mbi jetën e tij private dhe dashurinë, e cila po përflitet shumë. Kenan, i njohur edhe si Ezel nga seriali me të njëjtin emër, ka më shumë se një vit që është lidhur me aktoren e njohur, Berrak Tüzünataç, e njohur nga po i njëjti serial me emrin Bade. Ajo diku nga fundi i serialit u shfaq si e dashura misterioze e Ezelit. Pas këtij seriali, çifti i njohur filloi të shoqërohet shumë, xhiruan edhe disa skena së bashku në një tjetër serial dhe më pas miqësia e tyre filloi të kthehet në romancë. Ezeli, deri para se të lidhet me Berrak, ishte përfolur për lidhje dashurie me shumë aktore të njohura, ndër to edhe për romancën me Cansu Dere (Ejshan) e më pas edhe me një tjetër aktore të njohur, por që rezultuan vetëm fjalë, pasi dashuria me Berrak Tüzünataç kishte filluar të merrte përmasa të mëdha. Po cila është e dashura e re e machoman-it turk, i cili ka vjedhur zemrat e shumë femrave të mbarë botës?
Berrak Tüzünataç ka lindur në vitin 1984 në Yalova të Turqisë. Është shpërngulur në Stamboll me familjen e saj në vitin 1995 dhe në vitin 2004 ka filluar studimet për Administrim Biznesi në Universitetin e Stambollit. Ka punuar si prezantuese në një televizion të njohur atje e më pas nisi punë si modele e fotomodele, ndërsa aktive në botën e “show bizz”-it është që nga viti 2005 me debutimin si aktore në rolin e Beyzës. Ajo është femër e bukur dhe me një pamje jashtëzakonisht tërheqëse, që të lë përshtypje të tillë menjëherë. Kështu e përshkruajnë mediat atje bukuroshen e njohur, e cila për momentin është temë qendrore e shtypit rozë, për faktin se prindërit po i bëjnë shumë presion të dashurit të saj, Kenan Imirzalioglu, që të martohen, për shkak se zakonet turke nuk lejojnë që një femër të kalojë gjatë me një mashkull e të mos jenë as të fejuar e as të martuar. ‘’Kjo gjë te komuniteti ynë konsiderohet si haram, prindërit e saj janë tejet të indinjuar me vajzën, për faktin se dëshirojnë që ajo dhe Kenan të martohen. Madje po u bëjnë shumë presion të dyve, ndoshta së shpejti do të ketë edhe dasmë. Nuk duan që vajza e tyre të shfaqet në media me një mashkull që nuk është e fejuar apo e martuar. Prindërit e saj kanë qenë edhe kundër aktrimit dhe profesionit që ka ushtruar si modele, sepse zakonet tona nuk e lejojnë një gjë të tillë, nuk lejojnë që një femër të puthet, përqafohet në ekran ku e shohin me miliona njerëz. Nderi dhe karakteri i tyre nuk duron më… Nëse nuk martohen, atëherë çifti edhe mund të ndahet në qoftë se Kenan nuk pranon të kurorëzohen, pavarësisht se e duan shumë njëri-tjetrin’’, – theksojnë burime nga të afërm të aktores, transmetojnë mediat turke.

(er.nu/panoramaplus/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: