KINE – Pas triumfit të Ferrarit në garën e parë sezonale të Melbournit në Australi, ka ardhur edhe kundërpërgjigjja e Mercedesit me nënkampionin e vitit të kaluar, Lewis Hamilton. Britaniku e nisi garën nga vendi i parë dhe e përfundoi atë sërish aty, pa u shqëtësuar aspak nga rivalët e tij.

Gjermani i Ferrarit, Vettel arrin gjithsesi të renditet në vendin e dytë, duke mbetur me pikë të barabarta tashmë me britanikun në klasifikimin e pilotëve, e duke u shfaqur kështu si kundërshtari kryesor për fitimin e këtij Botërori të Formulës 1. Treshen e dytë poshtë podiumit e zunë shokët e skuadrave të pilotëve të sipërpërmendur, me Riçiardon e Red Bullit që doli i 4-ti, Raikonen i Ferrarit i 5-ti dhe Botas i Mercedesit i 6-i.

Vendin e fundit në podium e mori piloti holandez i Red Bullit, Maks Vershtapen, i cili bëri një garë mbresëlënëse duke rikuperuar 13 pozicione nga nisja.

Pas dy garash, klasifikimi i përgjithshëm për pilotë bashkëkryesohet nga Hemilton dhe Vetel, teksa të dy kanë regjistruar nga një fitore dhe një vend të dytë në dy garat e para të zhvilluara në Australi dhe Kinë.

Lufta për titullin kampion sapo ka nisur dhe këtë vit duket se do të jetë mjaft interesante me Ferrarin e rikthyer pretendent pas shumë viteve zhgënjim.

(er./cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb