LEZHE– Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë përfunduar ndërtimin e një ure “bailey” në fshatin Ungrej të Bashkisë së Lezhës. Në inaugurimin e kësaj ure ishte e pranishme edhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila shoqërohej nga deputetët e Komisionit Parlamentar të Sigurisë dhe prefekti i Lezhës.
Pasi përmendi kontributin e Forcave të Armatosura në rastet e emergjencave civile, ministrja Kodheli foli për rëndësinë që ka ndërtimi i kësaj ure për banorët e kësaj zone.

“FA kanë qenë në krye te punëve duke filluar që nga zjarret e pamundura për t’u shuar me mjetet e tjera civile, duke vazhduar me ndërtimin e urave. Kjo urë lidh as më shumë e as më pak, por plot 9 fshatra”, tha ajo duke falënderuar punën e xhenierëve të FA dhe duke garantuar gjithashtu mbështetjen e saj për Bashkinë e Lezhës, por edhe për bashkitë e tjera të vendit.

“Një falënderim i veçantë shkon padyshim gjithë repartit Xhenio, i cili dhe në kushte kaq të vështira dhe në lartësi kaq të madhe, ka mundësuar në një kohë rekord bërjen e kësaj ure. E di që nuk është e thjeshtë të vihet deri këtu. Duhen disa orë. Dhe shpresoj që të jemi këtu pranë, për të përballuar çdo nevojë që ju keni, qofshin këto në kushte të vështira. Kushte të emergjencës, qofshin këto edhe në kushte jo emergjente, por të domosdoshme dhe të nevojshme”.

Në cilësinë e përfaqësuesit të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, deputeti Pirro Lutaj tha se bashkë me dy kolegët e tij, Xhemal Qefalia dhe Arben Çuko, kanë ardhur “për të parë atë që debatohet në komision dhe për të parë me sytë tanë se vlerat monetare që Parlamenti, që qeveria i akordon Ministrisë së Mbrojtjes shkojnë për rritjen e elementëve të sigurisë në vend”, tha ai.

Më tej, Lutaj vlerësoi punën e FA, jo vetëm në Qarkun e Lezhës, por në të gjithë vendin.” Siç e tha ministrja ky është një kontribut që është dhënë në disa vende në territorin shqiptar. Janë bërë disa ura në disa qarqe të vendit, ku ka pasur nevojë komuniteti dhe FA i janë gjendur shpeshherë komunitetit dhe në ato emergjenca civile, qoftë në shuarjen e zjarreve, qoftë në hapjen e rrugëve ose fatkeqësive të tjera që vijnë për shkak të natyrës. Sigurisht ura që po shikojmë sot lidh rreth 9 fshatra dhe u vjen në ndihmë rreth 5000 banorëve të kësaj zone. Është për t’u vlerësuar dhe është një kontribut për t’u falënderuar nga strukturat e FA”.

Ura “bailey” e ndërtuar nga FA në fshatin Ungrej të Lezhës është e gjatë 27 m dhe ka një peshëmbajtje prej 10 ton. Ajo u shërben fshatrave Kalivaç, Gjokëbardhaj, Zimaj, Kashnjet, Rracaj, Sukaxhi të Lezhës, fshatit Gomsiqe të Pukës dhe lidhet me Njësinë Administrative Vig-Mnelë të Vaut të Dejës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb