Qysh kur filloi serinë e foltoreve, Berisha i është përmbajtur një fabule të thjeshtë politike, e cila duket se i ka funksionuar tek pothuaj çereku i shqiptarëve – në një sondazh që publikova javën e shkuar, rreth 24% e të anketuarve e simpatizonin atë ndër politikanët kryesorë të vendit. (Për krahasim, në një sondazh të ngjashëm që zhvillova në shtatorin e vjetshëm, vetëm 14% e simpatizonin).

Fabula politike e përsëritur pa pushim nga Berisha gjatë 8 muajve të fundit përmblidhet në këta pak rreshta: “Më detyruan të kthehem në politikën aktive njerëzit e Sorosit në Departamentin e Shtetit dhe Ambasadën Amerikane në Tiranë, si dhe ushtari i tij në krye të SHQUP-it. Do të rikthehem në krye të PD-së dhe eventualisht në krye të qeverisë, përkundër përpjekjeve të tyre për të më denigruar. Në janar të 2025-ës, në Shtëpinë e Bardhë do të rikthehet një president republikan (Trump apo një i ngjashëm) dhe në Kongres do të dominojnë po republikanët, me ndihmën e të cilëve do të më revokohet statusi non grata nga Departamenti i Shtetit dhe do ta mund Edvin Ramën në zgjedhjet e pranverës 2025”.

Pjesën e parë të kësaj fabule, Berisha pothuaj e ka materializuar. Basha dha dorëheqjen nga posti i kryetarit, duke u larguar nga SHQUP-i, ku Berisha është bërë de facto zot i tij. Ka disa pengesa ligjore të shkaktuara nga apelimi i Alibeajt në Gjykatën e Apelit, por si në terren edhe në qendër, njerëzit pranë këtij të fundit nuk janë në gjendje të marrin kontrollin e PD-së.

Pjesa e dytë e fabulës së Berishës ka gjasa të materializohet, me një sukses të pritshëm të republikanëve këtë nëntor në Kongres dhe me një dështim të Presidentit Biden për t’u rizgjedhur pas dy vjetësh.

Pjesa e tretë e fabulës është më e vështirë për t’u realizuar. Sapo një republikan të shkojë në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, Berisha duhet të ketë bërë gati një ofensivë të fuqishme lobiste republikane, përmes së cilës të vihen sa më shpejt në lëvizje proceset burokratike në Departamentin e Shtetit, për revokimin e statusit non grata. Që kjo të ndodhë para zgjedhjeve shqiptare të pranverës 2025, gjasat janë të vogla, por jo zero.

Dhe vijmë tek pjesa e fundit e fabulës së Berishës – mundjen e Ramës në zgjedhje. Që ta mundë Ramën në zgjedhje, atij do t’i duhet të ketë gjysmën e shqiptarëve simpatizantë, e jo vetëm çerekun, si sot. Por të ngjitesh nga çereku te gjysma, është një e përpjetë e madhe për një plak 81 vjeçar (aq vjeç do të jetë Berisha më 2025).

Të dhënat zyrtare të publikuara nga KQZ-ja tregojnë se vetëm 10% e pjesëmarrësve të zgjedhjeve të 25 prillit të vjetshëm ishin të rinj 18-24 vjeç dhe 17% të rinj 25-34 vjeç. Ndërkohë këto mosha përbëjnë plot 34% të banorëve të rritur të vendit. Kjo pjesëmarrje e ulët e të rinjve në zgjedhjet e vjetshme të prillit, kur konkurronte për kryeministër një 56 vjeçar me një 46 vjeçar, janë një ogur i keq për një plak 81 vjeçar, që synon të rikthehet për herë të tretë në pushtet. Ai e kishte energjinë për të galvanizuar votuesit e rinj, kur erdhi për herë të parë në pushtet. Po atëherë ishte vetëm 47 vjeç…
Opozitës i duhet një lider i ri – në moshë e mendim – që të rikthehet në pushtet…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb