Është promovuar në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, libri më i fundit i Virgjil Muçit, “Fajin ma ka gjuha”. Titulli i vëllimit me tregime fantastike është bërë moto e tetorit të librit organizuar nga qendra, duke kërkuar të nxisë dialogun në shoqëri, ndërsa për Muçin, Fajin ma ka gjuha, është për rrezikun që sjell fjala.

“Ne kemi një histori të vjetër, shpesh njerëzit janë gjykuar e janë dënuar më shumë për atë që kanë thënë se për atë që kanë bërë. Gjuha është si një thikë më dy presa, që pret në dy krahët”, tha shkrimtari.

Tregimet që prekin kufijtë e legjendave i qasen hera-herës edhe historive të njohura si Orfeu dhe Euridiçja, duke trajtuar gjithaq, edhe tematikat e Dantes si Ferri e Parajsa.

“Janë tregime që vijnë me inspirim popullor. Në pjesën e pasme të kopertinës them që ky cikël tregimesh fantastike është pjesë e një triologjie narrative që zë fill me ‘Përrallat Shqiptare’, vazhdon me ‘Erotikonin dhe Satirikonin’ dhe përmbyllet, me ‘Fajin ma ka gjuha’ që lexuesi e merr për herë të parë”.

Në laminë e kërkimit 20-vjeçar të këtyre tregimeve, Muçi, ka një shtysë që zë fill nga Milan Shufaj: Jam frymëzuar nga një shprehje e Faik Konicës që thotë se studiuesi kroat Mialn Shuflaj, njeriu që e njihte më mirë se kushdo tjetër mesjetën shqiptare, ka shprehur mendimin se Shqipëria nuk mbetej pas vendeve europiane si për nga mënyra jetesës edhe nga përparimi i përgjithshëm. Vendi, kjo është shumë interesante, vërtetë shumë interesante, ishte më së shumti ishte një përzgjatje kulturore e tregtare e Italisë se sa një rajon nën ndikim bizantin”.

Ky pohim e bën Muçin të besojë se Durrësi, Vlora e Shkodra kanë pasur zhvillimin e qyteteve të tjera europiane edhe në kulturë gjatë mesjetës dhe se në mjegullat e kohës, mund të kenë humbur edhe përmbledhje novelash si ato të Dekameronin. Shkrimtar, përkthyes e diplomat, Muçi del përpara lexuesit me thesare të kulturës popullore të rrëfyera si letërsi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb