Nga: KIÇO BLUSHI *
Ndërsa këto ditë po përkujtohet me do shkrime e diskutime të thekura akademike e panagjerike pesëdhjetëvjetori i vdekjes së Nolit, jo pa shkak më vjen të them zëplotë: Fajin e paska pasur Noli!
E shqipëruar ca më kjartë (duke kapërcyer thirrjet tradicionale e aktuale: Fajin e ka Zogu, më pas Enveri, pastaj Ramizi, Saliu, Nano e tash dyshja Meta-Rama), kjo thagmë që po them për Nolin synon të përcjellë këtë kuptim të drejtpërdrejtë: që kemi mbetur në bisht të proceseve demokratike, me standarde të cungëta, të fundit në Ballkan, në këtë nivel mjeran të bashkekzistencës shqiptar-shqiptar, me këtë ultësi mirëqenieje, në këtë kaos të katërciptë të vlerave morale, kulturore dhe intelektuale (ku edhe një Tom Dosh mund të shkundë nga themelet shoqërinë e ku sherret e konfliktet nuk kanë të sosur!), a nuk duhet pohuar, para se të akuzohen pasardhësit e sipërpërmendur të Nolit, që, më së pari fajin e ka vetë Noli? A nuk ishte ai i pari kryeministër që premtoi demokracinë liberale, një shoqëri të drejtë e të barabartë e që, pas gjashtë muajsh ua dorëzoi vendin dhe shpresën bandave dhe mercenarëve të një bajraktari “katil e mizor”, të mbështetur e financuar nga armiqtë e Shqipërisë?
Veç të tjerash, fajin e ka Noli, edhe pse ai ishte i pari, i fundit dhe i vetmi udhëheqës që nuk kishte kujt t’ia hidhte fajin për t’u shfajësuar e për të bërë demagogji. E pranoi humbjen me heshtje, paqësisht e përulësisht.
E them këtë me dhimbje, edhe pse anoj nga fanolizmi. Sepse Noli pa dashje provoi se në këtë vend qenkësh tejet i vështirë, në mos i pamundur, idealizmi. Dhe se idealistët janë të destinuar të dështojnë, ose të vriten, ose të poshtërohen, ose të ikin nga sytë këmbët, në emigracion. Tërheqja e Nolit nga pushteti pa kushte, pa luftë, pa rezistencë, pa deklarata, pa bujë, pas gjashtë muajsh krijoi bindjen se i drejti nuk triumfon; se që të merresh me politikë në këto anë të Ballkanit, duhet patjetër të jesh “i hurit dhe i litarit”, njeri i tarafeve dhe jo i parimeve, një “salep–sulltan” i veshur allafrënga, d.m.th. të mos kesh pikë ndershmërie, dhembshurie e njerëzillëku as për popullin dhe as për interesat e vendit, por vetëm për veten…
Ja përse fajin e ka Noli!
Sepse pas tij u ligjërua se po të qeverisësh pa parime, me harbutllëk e fodullëk, është e vetmja siguri e garanci të kesh sukses e për më tepër të të “ndjekë pas historia”. Nuk ka rëndësi në je i djathtë apo i majtë. As edhe emri, kultura, arsimimi dhe meritat nuk ndikojnë në karrierë. Marshi i Barabajt është lajtmotivi, mercenarizmi – leva e Arkimedit.
E po qe se synon të mbretërosh gjatë, si monark, si sekretar i parë, si President, apo n’daç edhe si autokrat demokracie, lipset të bësh aleancë edhe me djallin, si dhe të mos ndruhesh të tradhtosh, pse jo edhe të vrasësh, pa t’u dridhur dora, edhe bashkëpunëtorët e miqtë më të ngushtë…Kjo quhet politikë e suksesshme. A nuk e provuan me vepra këtë maksimë tragjike të gjithë pasardhësit e tij?
Thuhet se teksa bashibozukët e Zogut po hynin nga Krraba në Tiranë, Nolit i patën trokitur në zyrë të alarmuar për t’i thënë: “Imzot Kryeministër, dinsëzët po hyjnë në Tiranë!…” Por kryeministri, që atëbotë po i binte flautit, u qenka përgjigjur qetësisht e afërsisht kësisoj: “Me ç‘të drejtë më ndërprisni orën e muzikës?”. Edhe në mos qoftë plotësisht e vërtetë rrëfenja, ajo dëshmon për mënyrën se si gjykon një idealist “i mbirë” para kohe në një tokë të egër, ku është më kollaj t’i thuhet derrit dajë, sesa t‘i besohet një prijësi i cili shpreson se mund të qeverisë harmonishëm, duke i rënë flautit, me partiturë…
Prandaj fajin e ka Noli!
Nuk ka dyshim, besoj, se po të kishte rezistuar Noli, pra po të mos kishte ikur pas sulmit butaforik të bashibozukëve e bjellogardistëve të Zogut, në Shqipëri nuk do të ishte krijuar tradita ogurzezë për t’ia lënë kopilin në derë (fajin) pararendësit, gjë që nuk e lejon popullin të shohë përpara, të analizojë e të gjykojë objektivisht krerët që e drejtojnë. Po të mos kishte qenë ky mallkim, pra po të mos kishte dështuar Noli, sot shoqëria jonë do të kishte pas qenë një tjetër.
Sot do të kishim me pas kenë përnjëmend bij të një “Zonje të randë” e jo si jemi katandisur tash, në këtë shekull të ri, pas mbi 100 vjetësh me shtet të mëvetësishëm!
***
Nuk besoj të ketë një burrë tjetër në historinë tonë moderne me asi meritash, sa dhe si Noli. Jo dhe aq si shtetar, por si një dijetar largpamës që përcaktoi, me përkushtim dhe sidomos me një intuitë të paimagjinueshme standardin e gjuhës shqipe në një kohë kur jo vetëm analfabetizmi ishte në kufijtë e 100%-shit, por kur nuk dihej se ç’alfabet do të përdornim, arabin apo latinin. Ai e detyroi Shekspirin të vinte e të jetonte në një Shqipëri anadollake ku ligjin dhe moralin e bënte injoranca e Haxhi Qamilit. Ai bëri shqiptarë jo vetëm Shekspirin, por edhe Servantesin, Ibsenin, Bethovenin dhe Omar Khajamin. E megjithatë, edhe për këtë e ka fajin Noli, derisa ka jo pak gjuhëtarë të sotëm, shumica kuturanë e anonimë që e vënë në dyshim standardin.
Ky njeri që nuk kishte lindur e nuk ishte rritur në Shqipëri, por në Ibrik Tepe e më pas në SHBA, u përpoq, si të gjithë idealistët, të bashkonte në një nyje Fjalën me Veprën, pushtetin moral, fetar e kulturor me pushtetin real…Adhurimi për të kapërcen çdo cak, mjaft të lëçitësh shtypin e kohës së Zogut apo atë të diktaturës për të kuptuar se ç’ndikim ka pasur më pas Fjala e “Diellit” të Nolit dhe përse gjuha e tij nuk ngjan e vjetruar, demode, por çuditërisht është si e folura e sotme.
Si e ka kryer dhe si ka mundur t’i kapërcejë barrierat e kufizimet e kohës dhe si e ka realizuar këtë mrekulli të pashembullt?!
E megjithatë fajin e ka Noli!
Fajin e ka ky burrë i shquar, sepse ikja dhe dështimi i tij si shtetar na kushtoi tepër shtrenjtë në historinë e mëpasshme! E megjithatë, fatmirësisht (apo mos duhet thënë: fatkeqësisht, meqë akuzojnë disa si “peshkop të kuq”?), Noli mbolli e krijoi bindjen tek jo pak bashkëkombës, të cilët dhanë edhe jetën për të provuar se falimenti i tij qe rastësor, vetjak e fatkeq dhe se ky komb i ka të gjitha mundësitë e kapacitetet intelektuale e njerëzore, si dhe të drejtën për të shpresuar, ëndërruar e luftuar për një të ardhme demokratike, për një jetë më të begatë, më harmonike e të kulturuar, të standardeve perëndimore.
Këtë Marathonomak që humb jetën bash atëherë kur arrin fitoren na e la, si trashëgim, imzot Fan Noli. E pra, a mos kemi të drejtë të fajësojmë Nolin edhe për këtë?!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: