Deputetja dhe nënkryetarja e LSI-së Erisa Xhixho deklaroi sot se letra informuese që Presidenti i ka dërguar parlamentit evidenton fakte tronditëse mbi tradhtinë kombëtare të Edi Ramës me kufijtë detarë.

Xhixho publikon letrën e Metës, teksa shkruan se skandaleve të njëpasnjëshme që nxjerrin në pah korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin, i shtohet edhe tradhtia e kryeministrit me çështjen e detit, një proces që është ende në negocim e sipër.

Ajo thekson se është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë dhe çdo deputeti të ngrihet në nivelin e përgjegjësisë që i ka ngarkuar sovrani me votë për të mbrojtur interesat e vendit.

POSTIMI I PLOTË
Letra informuese që kreu i shtetit i ka dërguar Parlamentit evidenton fakte tronditëse mbi tradhtinë kombëtare të Edi Ramës me kufijtë detarë.
Skandaleve të njëpasnjëshme që nxjerrin në pah korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin, i shtohet edhe tradhtia e kryeministrit me çështjen e detit, një proces që është ende në negocim e sipër.

Këto janë fakte dhe jo propaganda e Rilindjes:
➡️Deklaratat dhe qëndrimet publike të Kryeministrit Rama përmes të cilave ka pohuar/mbështetur zgjerimin e ujërave territorialë të palës Greke në 12 milje detare apo mbylljen e gjireve, për hapësirën objekt negocimi midis dy vendeve, ndërkohë që të dy vendet janë zyrtarisht në negociata për këtë çështje, natyrshëm që dobësojnë pozitën dhe strategjinë negociatore të palës shqiptare,
➡️Ekziston mundësia që këto deklarata të ndikojnë në procesin negociator, dhe që mund të përdoren nga shteti fqinj në ndjekjen e këtij procesi në çfarëdolloj forme.

➡️Nga zhvillimet e mëpasshme është e qartë se Kryeministri Rama, më së paku me mungesë të sinqeritetit, me papjekurinë e tij, apo me mosnjohjen e ligjit, i ka dëmtuar të gjitha këto, duke arritur deri aty sa të keqinformojë apo të keqorientojë autoritetet e vendit fqinj, se ka pengesë Presidentin e Republikës Ilir Meta.

➡️Çështja e kufizimit të zonave detare midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, është një çështje e hapur mes dy vendeve.
➡️Shqipëria zyrtarisht është në proces të hapur negociatash me Republikën e Greqisë,
➡️Presidenti i Republikës nuk është informuar zyrtarisht nga Kryeministri se me çfarë akti, Qeveria ka kaluar nga procesi negociator sipas Kushtetutës dhe të drejtës ndërkombëtare, në zhvillime negociatash në nivel politik për këtë çështje, e aq më tepër të deklarohet paraprakisht se cila do të jetë rruga që do të ndiqet.

➡️Në kushte tilla, ligjërisht rezulton se, Kryeministri, apo çdo zyrtar tjetër i Qeverisë nuk është konsultuar, nuk ka kërkuar dhe as nuk është pajisur me ndonjë Autorizim nga Presidenti i Republikës, sipas detyrimit të qartë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 15/ 2010, për të negociuar apo për të diskutuar me Republikën e Greqisë në emër të Republikës së Shqipërisë, në lidhje me çështjen e kufizimit të zonave detare, e aq më pak për të vendosur apo dakordësuar nëse kjo çështje do të shkojë për alternativë zgjidhje në ndonjë nga Gjykatat Ndërkombëtare, ndërkohë që palët zyrtarisht janë ende në negociata.

Një qeveri dhe një kryeministër që braktis qytetarët në momentet më të vështira, nuk e ka për gjë të cenojë integritetin territorial të vendit.

Një qeveri që i jep me koncesion privatit pasuritë publike nuk e ka për gjë të shkelë edhe më tej mbi interesat kombëtare.
Më shumë se asnjëherë tjetër, është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë dhe çdo deputeti të ngrihet në nivelin e përgjegjësisë që i ka ngarkuar sovrani me votë për të mbrojtur interesat e vendit??

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb