Nga Ervin BAKU
Kundër Italisë, në “Loro Boriçi”, Kombëtarja e Panuçit ka marrë duartrokitjet e mbi 16 mijë të pranishmëve, por të njëjtën gjë do të kenë bërë me siguri edhe ata që e kanë suportuar skuadrën nga ndonjë ekran televizioni. Një arbëresh që luan tek Interi na “vodhi” fitoren. Kandreva shfrytëzoi me mjeshtëri një përgjumje dhe moskordinim të mbrojtjes…

Një gol që megjithatë nuk e venit absolutisht fare performacën e shkëlqyer të Shqipërisë. Realisht, e meritonim barazimin… Pësuam një humbje 0-1 të pamerituar, por një e ardhme e mirë na pret… Ndoshta, një e ardhme shumë e mirë. Pse? Sepse, kjo Kombëtare i bëri ballë Spanjës dhe Italisë. Për të paktën një pjesë loje. Sepse kjo Kombëtare zuri vendin e tretë në grupin e saj.

Fill pas “superfuqive” të futbollit. Konsolidoi arritjen e saj më të madhe, shkuarjen në Europianin e Francës. Atëherë do të thotë se në Eliminatoret e ardhshme, kundër ekipeve në letër më të vegjël, duhet të presim rezultate konkrete pozitive… Ne po rritemi dita-ditës. Dhe në këtë sport nuk influencojnë as tradita, as paratë dhe as numri i popullsisë. Shembulli për t’u ndjekur: ISLANDA. Pse jo në fund të fundit…
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb