NGA EDMOND TUPJA

Kisha shumë kohë pa e ftuar në këtë rubrikë të së dielës Nastradinin e famshëm, këtë filozof popullor të mirënjohur prej disa shekujsh jo vetëm në botën arabe e në Azi, por edhe në vendet dikur të pushtuara nga turqit osmanë, siç është rasti edhe i vendit tonë. Ja, pra, tek e ftova ose, më saktë, tek më detyroi aktualiteti i politikës shqiptare që ta ftoja.

Për këtë u bë shkak fjala “tepsi”, e cila u lakua në të gjitha rasat gjatë fushatës zgjedhore që parapriu fitoren e bujshme të Partisë Socialiste në kuptimin e saj të figurshëm, pra, në kuptimin “të mirat, avantazhet e privilegjet që u sjellin pushtetarëve pasuria e paraja”, pa harruar ngjashmërinë e rrumbullakët të “tepsisë” me “timonin”, edhe kjo fjalë e fundit në kuptimin maocedunian “qeverisje, drejtim i vendit me një dorë egërsisht arrogante”.

Më konkretisht, fjala “tepsi” më kujtoi pardje një histori me Nastradinin, të cilën po e përmbledh shkurtas: “Nastradini i varfër i kishte marrë hua komshiut të pasur një tepsi të madhe, sepse e shoqja, Hatixheja, do të bënte bakllava. Bakllavaja u bë, u shijua e u harrua, por Nastradini nuk po ia kthente që nuk po i kthente tepsinë të zotit, i cili po e humbte pak nga pak durimin. Pas disa javësh, Nastradini ia ktheu atij më në fund tepsinë duke i kërkuar ndjesë, madje i dha edhe një tepsi fare të vogël, çka e habiti edhe komshiun, edhe të shoqen e tij.

Duke parë habinë e tyre, Nastradini u shpjegua: “Kur ma dhatë tepsinë, ju nuk e dinit se ajo ishte shtatzënë, kështu që unë prita sa i kaloi periudha e lehonisë dhe ja, po jua kthej të madhen bashkë me të voglën, duke ju kërkuar ndjesë për vonesën e duke ju falënderuar me gjithë shpirt për durimin”. Pas ca kohësh, Nastradini i kërkoi sërish fqinjit të pasur t’ia huante edhe një herë tepsinë e madhe, çka ky nuk ngurroi për asnjë çast që t’ia jepte, sigurisht duke shpresuar se tepsia e tij do të mbetej sërish shtatzënë. Kaluan disa javë, madje disa muaj dhe, ndërsa komshiu po niste të pendohej për bujarinë e tij, ja tek i mbiu te dera Nastradini me duart bosh e fytyrën e pikëlluar, duke i thënë gati me lot në sy: “Më vjen keq, por tepsia jote ndërroi jetë. Të rroni e ta kujtoni!”.

Kuptimplote më duket kjo histori edhe për tepsinë e madhe të Kryeministrit Rama, së cilës ende nuk po ia sheh hajrin e nuk po ia ndien lezetin populli ynë durimmadh në varfërinë e tij shembullore, për të mos thënë madhështore. Partia Socialiste, me gojën e korifenjve të saj deputetë dhe të emisarëve të saj ministra, po bën çmos ta sigurojë popullin tonë të urtë e të bindur deri në përulësi se tepsia e premtuar, nën drejtimin e Timonierit të Madh, është 100 për qind shtatzënë dhe, pas ekografisë që i kanë bërë specialistët e saj të diplomuar jashtë shtetit (ndoshta edhe në një planet tjetër, jashtë sistemit tonë diellor, emri i të cilit me gjasë mbahet sekret), së shpejti do të pjellë me qindra e mijëra tepsi të vogla për çdo familje shqiptare, kryesisht, veçanërisht e bujarisht për ato që regjistrojnë numrin më të madh të të papunëve, të pensionistëve e të handikapatëve të të gjitha llojeve: invalidë, trizomikë, autikë, paraplegjikë etj., etj..

Gjithsesi, ky aksion në shkallë të gjerë e të gjatë, të thellë e të lartë, i ndërmarrë ballas nga emisarët e Partisë Socialiste në shtypin e shkruar dhe në mediat elektronike, na qenka frymëzuar pikërisht nga një tjetër histori e Nastradinit tonë (ndër)kombëtar, të cilën po e rrëfej përmbledhtas si vijon: Në qytetin ku banonte Nastradini, – tregon nastradinologu francez Jean-Louis Maunoury – si pasojë e një thatësie të stërzgjatur, pllakosi zia e bukës. Por, sidoqoftë, jo të gjithë po vdisnin nga uria: të pasurit kishin krijuar rezerva me grurë, vaj, fasule, thjerrëza e pastërma.

Një ditë, Hatixheja i thotë të shoqit: “O Nastradin, tërë qyteti të vlerëson si njeri me një barrë mend. Mos rri duarkryq; dil te sheshi, mblidhi njerëzit dhe përpiqu t’i bindësh të pasurit që t’u japin ca ushqime të varfërve”. Nastradinit i duket sikur e shoqja kësaj radhe ka të drejtë. Ai ndjek këshillën e saj dhe, pas dy orësh, kthehet në shtëpi me fytyrën që i ndrit nga gëzimi. “Grua, – i thotë – le t’i falemi Allahut Mëshirëmadh!”.

Ajo e pyet: “Ah, ia arrite, pra?”. Ai ia kthen: “Nuk ishte punë e lehtë. Ia arrita, por përgjysmë”. “Si? – habitet ajo – Ç’do të thotë ‘përgjysmë’?” “Po, arrita të bindja vetëm të varfrit!”. Si përfundim, o lexuese e lexues të paanshëm të kësaj rubrike, le ta falënderojmë Nastradinin për dritën që hedh mbi tepsinë e premtuar, por aq zhgënjyese të qeverisë sonë, që nuk bën veçse na verbon sytë, por nuk na e prish mendjen kurrsesi.

Burimi: http://www.panorama.com.al/faleminderit-nastradin/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: