NGA: FATMIRA NIKOLLI* Stories are propaganda” (2005, pjesë e Atlas of Clouds) lexo het në një prej punëve të artistit francez Philippe Parreno, autor i “Marquee”, që ka zënë vend në hyrjen kryesore të Kryeministrisë, e që njihet më së shumti si streha e selisë së qeverisë. Ardhja e veprës së tij në Tiranë, ka ngjallur debat e kritika – nga artistë, opinionistë, kritikë arti, kuratorë, njerëz që e njohin artin e tij ose jo. Mes opinioneve se duke i bërë dhuratë popullit shqiptar këtë punë, ai po e lejon veten të përdoret nga qeveria, dhe vlerave të tij si artist, nuk është lënë pas vëmendjes as pyetja: a e dëmton kjo vepër fasadën e godinës monument kulture?

Artistët bashkëkohorë Philippe Parreno (me “Marquee”) dhe Carsten Holler (“Triple Giant Mushroom”), do të qëndrojnë për një kohë të gjatë e të pacaktuar jashtë Kryeministrisë, ndërsa Thomas Demand (me “Tributte”, “Attraction” dhe “Sign”) deri në shtator. Përtej debatit, pak dihet zyrtarisht se si u sollën këta artistë dhe pse në Kryeministri. Falma Fshazi është drejtore e projektit COD dhe Drejtore e Njësisë së Komunikimit dhe Hulumtimit në Kryeministri. Ajo vjen në një intervistë për “GAZETA SHQIPTARE” mbi Qendrën për Hapje dhe Dialog (në selinë e qeverisë), ardhjen e tre artistëve, domethënien e veprave artistike në hapësirat qeveritare, u përgjigjet pyetjeve të ngritura në këto tri javë, herë duke i mirëpritur kritikat e herë duke iu përgjigjur atyre. Fshazi, shprehet se rikonstruksioni nuk ka pasur kosto, pasi është bërë me donatorë dhe në këtë pikë tregon kontributin e dy ambasadave. Fshazi, jep informacion për të gjitha hapësirat që përbëjnë një ‘qendër’ ku ndërthuren arti, librat, historia, dokumentet, e shkuara, fotografitë, objektet e prodhimet shqiptare. Më poshtë intervista.

– Ju jeni drejtore e projektit të Qendrës për hapje e dialog në Kryeministri. Si do funksionojë COD-i?
KOD në shqip, ose Center for Openess and Dialogue, do jetë e hapur çdo ditë, nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 9 të mbrëmjes, përveç të mërkurave që jemi mbyllur për publikun për arsye rregullimesh të brendshme që të ofrohet një shërbim sa më i mirë. Tani jemi me orare verore, që do të thotë se jemi me orar të limituar, për shkak se nuk ka as vizitorë në pikun e vapës. Nga ora 14:00 deri në orën 18:00 është e mbyllur, dhe do jemi mbyllur edhe gjatë muajit gusht, ndërsa në shtator rihapet. Në rihapje, biblioteka do jetë vetëm për ata që duan të punojnë aty, pra biblioteka nuk do jetë më e vizitueshme, siç është momentalisht, për këdo që do thjesht ta vizitojë. Vizitorët do gjejnë sërish përgjatë shtatorit veprat e Thomas Demand, i cili njihet pak në vendin tonë, por është një emër i spikatur ndërkombëtar. Është fat për ne të ishte të dinim më shumë mbi kuptimin e secilës prej veprave të tij që ekspozohen në hollin protokollar. Dy veprat e tjera që ekspozohen jashtë, janë të përhershme.

– Cili është programi i ri?
Programi i ri që do të zgjasë për tre muaj fillon më 1 tetor. Hyrja do jetë gjithnjë falas. Në princip duam të jetë sa më shumë e hapur, që të ofrojë sa më shumë shërbim për studiuesit e studentët dhe sa më shumë mundësi për vizita, në mënyrë që të interesuarit të shohin sallën e ekspozitave, sallën digjitale, ku për momentin mund të shohin dhomën me projeksion fotosh të ATSH-së kuruar nga Zef Paci, si dhe në tableta katalogun online të arkivit të Kryeministrisë dhe të fotove të ATSH-së. Ndërkohë që janë shumë interesantë besoj, hapësira “tako artistin”, ku ka video e libra për Philippe Parreno, Thomas Demand, Carsten Holler, dhe këndi me prodhime vendase “Made in Albania”, kuruar nga Edit Pulaj.

– Pse lindi nevoja për ta ngritur KOD-in?
Pikërisht për të sjellë një kod të ri, por nuk e them kod si ligj, por kod si elementi bazë i një procesi më kompleks të dialogut e të hapjes, si bërthama e diçkaje që pastaj bëhet më e madhe, shumëplanëshe e shumëngjyrëshe. Përtej kësaj, ne besojmë se, pa dyshim, kishte nevojë që arkivi i Kryeministrisë, i hapur me ligj, të ishte edhe praktikisht i hapur. Dokumentet ishin në kuti, të paaksesueshme, madje dhe jo të ruajtura në standardet e nevojshme. Një pjesë e madhe në shkatërrim e sipër.

– Po digjitalizohet?
Po, po digjitalizohen. Janë vënë tashmë online qindra dokumente, një pjesë janë të digjitalizuara, por presim një konfirmim nga Komisioneri për të dhënat personale, për t’i hedhur online. Pra e para, kishte nevojë për transparencë për dokumentet që prodhon kjo ndërtesë dhe e dyta, ne mendojmë se kjo ndërtesë duhet të jetë e hapur dhe se vlerat e saj duhet të jenë të vizitueshme. Vetëm tani që futesh brenda, e kupton më mirë vlerën e saj historike, kupton arkitekturën e saj. Pra, ky projekt e ka rivlerësuar ndërtesën historike, që njerëzit jo vetëm të dinin historinë e saj, por ta shihnin konkretisht atë. Projekti respekton përmasat e vjetra, identitetin, ka ruajtur pllakat, tavanet, ka ngritur lartësinë e dyerve duke arritur atë origjinale, ka kthyer hapësirat e vjetra, duke shpëtuar edhe një pjesë historike, shumë të rëndësishme të kësaj godine, nga mure tulle të shtuara më pas, nga dhoma qendrore me pamje në bulevard që ishin depo për flamuj, për tapete e kolltukë, apo për karrige të prishura, e radio e sende të tjera që dergjeshin me vite pa asnjë destinacion. Pastaj kemi shtyllën e tretë të COD, ajo e artit. Ne mendojmë se kanë nevojë për mendimin kritik artistik, edhe politika, edhe qeverisja, edhe bashkëjetesa, ndaj deshëm t’i hapnim një vend, edhe simbolikisht, në zemër të qeverisjes, artit, për ta bërë atë pjesë themelore të dialogut mes grupeve të ndryshme. Një dialog që në fund të ditës u shërben progresit, ndryshimit, emancipimit, politikave dhe qeverisjes.

– Ju flisni për një hapësirë kritike në zemër të qeverisë. Ka pasur jo pak kritikë për ‘strehën’ e Kryeministrisë, që siç u mësua më pas, ishte “Marquee Tirana 2015” – vepër e Philippe Parrenos. Përpos që është interpretuar si vepër që dëmton fasadën e një monumenti kulture, është kritikuar edhe nga artistët. Si iu përgjigjeni ju këtyre kritikave e shqetësimeve?
Shqetësimi është i pabazuar për aq sa asnjeri nuk ka ardhur të pyesë, si është vendosur, sa konkretisht, dhe si e ka prekur ajo fasadën. Në momentin që “Marquee” e Philippe Parrenos hiqet nga vendi, nuk ka asnjë dëm që i mbetet fasadës. “Marquee” e Parrenos është vënë në ndërtesa shumë më të vjetra se godina e Kryeministrisë, shumë më delikate se kjo. Vetë filozofia e artistit, është e tillë që kjo vepër të vihet në këto lloj ndërtesash. Kjo vepër krijon një hartë globale të këtyre ndërtesave. Pra jo vetëm që nuk e dëmton, por me ekspozimin e kësaj vepre, e ndërlidh Kryeministrinë e Tiranës me një sërë monumentesh të tjera, dhe sjell vëmendjen te kjo ndërtesë. Në të njëjtën kohë, vepra ka lidhje edhe me idenë tonë për hapje, pasi Parreno nuk do ta kishte sjellë veprën e tij po të mos ishte realizuar hapja e katit të parë. Parreno nuk punon asnjëherë për dekor, por shënjon një kuptim dhe ofron mjete për ta parë ndryshe realitetin. Ajo që ka ndodhur është se është supozuar se është dëmtuar fasada, është supozuar se vepra sjell dëmtim, është supozuar pa fund, është folur dhe komentuar, por pa dashur të përgjithësoj, kam parë shumë pak njerëz që e njohin Philippe Parrenon, këtë vepër, dhe pakkush ka ardhur te ne të marrë dosjen, ku tregohet me detaje çdo gjë mbi veprën dhe ardhjen e saj në Shqipëri. Sërish, kritikat janë të mirëpritura. Thjesht do qe e vendit që ai/ajo që kritikon të njihte mirë autorin, arsyet e kësaj zgjedhjeje, e vepra dhe mjetet për t’i pasur këto informacione s’kanë munguar as nga ne.

– Në fakt, në shtete të tjera, veprat e Parrenos janë vënë nëpër muze e galeri, jo në godina qeveritare. A ka kjo një domethënie?
Nuk ka asnjë lidhje, sepse varet se ku e zgjedh autori të ekspozohet dhe varet se çfarë mesazhi do të përçojë ai. Marquee është instaluar dhe në Punto de la Dogania, një ndërtesë shumë më delikatë, me peshë historike, artistike dhe institucionale. Është instaluar në Palais de Tokyo, ndërtesë e së njëjtës periudhë me atë të Kryeministrisë shqiptare.

– U shprehët se debati ka lindur por askush nuk është informuar. A nuk mendoni se debati lindi edhe sepse njerëzit nuk kishin se ku të merrnin informacion derisa KOD u hap, pra kur erdhi Merkeli?
Nuk besoj se ka një artist që bën një sondazh publik mbi “si ta bëj veprën time”. Dhe nuk besoj se ka një institucion që bën një sondazh publik se si ta ripërtërijë ndërtesën. Ato kanë qenë gjëra që, kush ka dashur t’i dijë dhe kush ka pasur interes, mund të ishte interesuar, dhe mund të kishte marrë informacion. Përtej kësaj, ardhja e këtyre autorëve është përmendur më herët; ka pasur disa kronika mbi punimet në Kryeministri. Por, dhe për natyrë të Ballkanit, ka njerëz që iu pëlqen ta ndezin debatin; nuk shoh ndonjë problem te kjo, thjesht do të ishte mirë që debati të ndizej pas një informimi të mirë të debatuesve që mirëvendosen nga ana konceptuale, politike, filozofike e sociologjike. Nuk shoh ndonjë prurje të një debati deri diku me të pavërteta dhe me hamendësime që nuk e ndihmojnë publikun, i cili është më shumë i shkëputur nga ky lloj debati, që i ngjan nganjëherë asaj: të shajmë se s’kemi ç’të themi. Pa dyshim, jo gjithnjë ka artikuj kritikë që i kam lexuar me endje.

– Përtej debatit, si u bë e mundur ardhja e këtyre tre emrave të njohur në Shqipëri? Janë ata të tre miq të kryeministrit?
Philippe Parreno e ka shprehur vetë dëshirën që kur ka ardhur në Shqipëri, që një ditë donte të sillte një vepër.

– Kur ka qenë në Shqipëri?
Disa vite më parë. Është mik i shumë artistëve të njohur shqiptarë, ashtu si edhe Carsten Holler. Historia e tyre me Shqipërinë nuk është një histori 2 apo trevjeçare, është më e hershme. Ndërkohë që ne po punonim për këtë projekt, në kuptimin transparencë, digjitalizim dhe krijim i bibliotekës dhe sallë ekspozimi, mes disa artistëve dhe ekspertëve lindi ideja e sjelljes së veprave monumentale të artit bashkëkohor. Kështu dhe u mësua që Holler dhe Parreno kishin dashur më herët të sillnin veprat e tyre në Shqipëri. Në këtë moment, ne e bëmë të qartë që e kishim të pamundur të sillnim këta artistë në Shqipëri, e po ashtu të blinim veprat e tyre. Ishin ata që shprehën dëshirën që veprat t’i dhuroheshin popullit shqiptar. Ata propozuan se ku mund të vendoseshin dhe shpjeguan se kuptimi ishte ai i hapjes dhe i një arti që nuk është për artin, por që i flet edhe shoqërisë, që i flet realitetit, që u flet sfidave e transformimit, një arti të angazhuar dhe një arti të përfshirë.

– Pra, nuk ka kushtuar ardhja e tyre?
Jo. Nuk ka kushtuar ardhja e artistëve dhe ata nuk kanë kërkuar asnjë gjë, madje janë ofruar, për angazhimin e tyre dhe të stafeve që kanë punuar afër me ne për javë të tëra.

– Po rikonstruksioni brenda?
Ka pasur kostot e veta, patjetër.

– A ka një shifër se sa ka kushtuar?
Unë nuk mund të jap një shifër, sepse do qe e pasaktë gjithsesi, meqë nuk mund të llogaris donacionin e ambasadave në libra – është i pallogaritshëm, disa janë koleksione të rralla, si për shembull ai i historisë së shteteve italiane in Setta e Oro (Mëndafsh dhe Ar) i ambasadorit italian. Ose, ç’kuptim ka të flasësh për vlerën e mbështetjes së Ambasadës Gjermane që mbështeti bujarisht ardhjen e Thomas Demand në Tiranë?! Kemi pasur edhe sponsorizime të tjera: perdja në hollin kryesor në të cilën është “Sign” e Demand – ka një vlerë pune artistike, dizajni, ka një vlerë prodhimi, që është e sponsorizuar dhe nuk kemi pyetur dhuruesin, një prodhues botëror perdesh arti, sa kushtoi.

– Po pjesa e bibliotekës së Ardian Klosit, si u soll këtu?
Mendonim të kishim një kolazh të disa figurave intelektuale që kanë edhe një përfshirje në art dhe që janë njerëz të mendimit kritik. Ndërkohë që po vazhdojmë të flasim për një profesor nga Harvardi, na lindi ideja që ta fillonim me dikë nga Shqipëria. Dhe në këtë rast, kush më mirë se Ardian Klosi! Ia paraqitëm mendimin familjes, Juttes, Hannas dhe Katharinës, të cilat ranë dakord me kënaqësi.

– Veprat e artistëve të huaj, ç’fat do kenë pas mbylljes së ekspozitës?
Veprat e Demand do i kthehen artistit, ndërsa dy veprat e tjera i janë dhuruar fondit artistik shqiptar. Janë pronë e popullit shqiptar. Do vijojnë të qëndrojnë në këtë godinë dhe në Shqipëri. Mbase pas disa vitesh mund të lëvizin, por çdo zhvendosje bëhet me miratimin e artistit, sepse kjo nuk është një punë çfarëdo, nuk është zbukurim, është një punë artistike që është e vendosur aty sepse ashtu mendon artisti se merr kuptim. Çdo zhvendosje bëhet me konfirmimin e artistit.

– Meqë ideja e hapjes së kësaj qendre është simbolikisht edhe ideja e hapjes së kësaj godine, ju, nuk i konkurroni institucionet artistike kombëtare?
Jo, fare! COD-i nuk është galeri arti, COD-i nuk është bibliotekë që ka gjithçka; kemi koleksione si Vendimet e Këshillit të Ministrave, bibliografi, apo vepra që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërkombëtare, politikën, BE-në, lidershipin. COD nuk zëvendëson e as nuk konkurron asgjë, thjesht sjell një hapësirë të re në qytet për aq sa e shohim, dhe nga vizitat, ka pasur nevojë përveçse interes.

-A keni shifra vizitorësh?
Me gjithë limitet që janë vënë për shkak të kushteve të ndryshme, deri më tani ka pasur më shumë se 2000 vizitorë. Të kemi parasysh që është kohë pushimesh.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: