Prokuroria e Kavajës dorëzon në gjykatë dosjen me 6 të pandehur që akuzohen për falsifikim të dokumenteve shkollorë në rastin e shkollës së mesme të profilizuar “Dituria”. Prokuroria, e cila procedimin penal e regjistroi në datën 29 janar të këtij viti, nënvizon se janë vërtetuar nga hetimi gjetjet e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit Tiranë.

Sipas organit të akuzës, në këtë shkollë, gjatë viteve 2011-2015 janë konstatuar një sërë shkeljesh, deri në raste falsifikimi të regjistrave shkollor, si Amza, indekse, ekuivalentime provimesh, nxënës që rezultonin fiktivisht në shkollë kur faktikisht jetonin jashtë shtetit, etj.

Për të pandehurin Bardhyl Mastori, i cili mbante funksionin e administratorit dhe drejtuesit të shkollës, prokuroria thotë se ka kryer një sërë shkeljesh dhe falsifikimesh të dokumenteve shkollorë në bashkëpunim me të pandehurin Vath Gjylsheni dhe të pandehurat Danjela Veliu, Mirsije Qahajaj dhe Marsida Gërmani.

Gjatë hetimit ka rezultuar se nxënësit që janë pyetur kanë deklaruar që shkolla, sidomos sistemi part-time frekuentohet shumë pak ndërkohë që në regjistër figurojnë shumë nxënës, nuk merren mungesat etj.
Kjo gjë, thotë organi i akuzës, vërtetohet me fletë-printimet e sistemit TIMS ku ndërkohë që nxënësit ndodhen jashtë shtetit, në shkollë figurojnë si ndjekës të rregullt të saj madje me nota shembullore dhe nëpër projekte dhe provime, të cilat shkolla nuk i disponon!

Edhe gjatë kontrollit të ushtruar nga Inspektoratit Shtetëror i Arsimit, shkolla frekuentohej nga rreth 43% e nxënësve, madje në klasën 13B frekuentonin shkollën vetëm 22%.

Ministrja Lindita Nikolla ka nxjerrë Urdhrin nr.368, dt.01.07.2016, për mbylljen e veprimtarisë mësimore të institucionit të arsimit parauniversitar privat Shkolla e Mesme e Profilizuar ‘Dituria’.

Të pandehur:
1. Bardhyl Mastori
2. Vath Gjylsheni,
3. Danjela Veliu
4. Ajete Degermeni
5. Marsida Gërmani
6. Mirsie Qahajaj

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb