Policia e Vlorës ka arrestuar një person dhe proceduar penalisht dy të tjerë, për tentativë të kalimit të kufirit me test të COVID-19 të falsifikuar.

Në pranga ka rënë 35-vjeçari nga Fieri, A. D., ndërsa po hetohen dy të tjerë G. C., 57 vjeç, dhe V. B., 73 vjeç, banues në Itali.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, shërbimet e Policisë Kufitare Porti Vlorë në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Vlorë, arrestuan në flagrancë shtetasin A. D., 35 vjeç, banues në Fier si dhe proceduan në gjëndje të lirë shtetasit italian G. C., 57 vjeç dhe V. B., 73 vjeç, banues në Itali, për veprën penale “Fallsifikim i dokumentave shëndetësore”.

Dy shtetasit italianë të cilët do të udhëtonin drejt Italisë janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare Porti Vlorë gjatë përpunimit të dokumentacionit me test Covid-19 të falsisfikuar, të cilat dyshohet se janë falsifikuar nga shtetasi A. D.

Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb