Policia e Tiranës ka finalizuar ditën e sotme operacionin e koduar “Cash”, në kuadër të të cilit u vu në pranga një shtetas 61-vjeçar i cili falsifikonte kartëmonedha në sasi të mëdha.

61-vjeçari Reshit Kurteshi ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë ka hedhur në qarkullim një numër kartëmonedhash të falsifikuara, ndërsa gjatë kontrollit fizik atij iu gjetën 232 000 lekë të rinj dhe një shumë eurosh, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara.

Sakaq, atij iu dha masa e arrestit me burg, ndërsa vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe vënien e bashkëpunëtorëve, përpara përgjegjësisë penale.

Njoftimi i policisë: 

Tiranë/Finalizohet operacioni “Cash” për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomike.

Operacionet u zhvilluan nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Cash” u bë ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim:

– R. K., 61 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka hedhur në qarkullim kartëmonedha të dyshuara të falsifikuara.

Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit R. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 232 000 lekë të rinj dhe një shumë eurosh, të dyshuara të falsifikuara.

Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe vënien e bashkëpunëtorëve, përpara përgjegjësisë penale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb