VLORE- Mësohet se në pranga kanë rënë Inspektori Leonel Begaj, me detyrë pranues për dokumentacionin e personave që aplikojnë për t’u pajisur me pasaporta në Komisariatin e Policisë Vlorë si dhe K/inspektor Lirim Lamaj, me detyrë ndihmës-specialist S.P.Z në Komisariatin e Policisë Vlorë.

Ndalimi i tyre u bë pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, mbi bazën e një hetimi intensiv proaktiv me metoda dhe mjete speciale të hetimit të kryer nga shërbimet e policisë gjyqësore të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Vlorë, ka regjistruar procedimin penal në vitin 2015 dhe ka nxjerrë “Urdhërat e Ndalimit” në ngarkim të këtyre punonjësve për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Falsifikimit të Dokumenteve”, nga personi që ka për detyrë, të kryera në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248, 186/3 dhe 25 të K.Penal.

Nga hetimet e kryera dhe aplikimi i metodave speciale te hetimit është dokumentuar se punonjësit e policisë Leonel Begaj me cilësinë e personit që pranon aplikimet për pajisje me pasaportë biometrike, në bashkëpunim me punonjësin e policisë Lirim Lamaj në cilësinë e punonjësit të policisë që kryen verifikimin e të dhënave të aplikimit, kanë përgatitur praktikën përkatëse për pajisjen me pasaportë biometrike të shtetasit Viron Robaj me gjeneralitetet e shtetasit F. K., në 27 nëntor 2014.

Shtetasi Viron Robaj ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me pasojë vdekjen” për arsye se është dënuar nga Gjykata e Apelit Vlorë me vendim të formës prerë me 25 vjet burg, për tragjedinë e datës 9 Janar 2004.

Shtetasi Viron Robaj është arrestuar në Itali nga Policia italiane, e cila e ka identifikuar me anë të gjurmëve. Atij iu sekuestrua pasaporta me të dhëna të rreme, me gjeneralitetet e shtetasit F.K. Nga ky moment është njoftuar zyra e Interpolit shqiptar dhe kanë nisur hetimet nga SHÇBA, për personat që kanë mundësuar lëshimin e dokumentit të falsifikuar.

Hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Vlorë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb