Kandidati socialist për Bashkinë e Vlorës, Dritan Leli, ka mbajtur fjalimin e fundit para vlonjatëve. Në takimin përmbyllës të PS në Vlorë, kryebashkiaku Leli renditi të gjitha investimet që janë bërë në këto katër vite qeverisjeje të PS dhe ato që do vijojnë të bëhen.

Ai ftoi vlonjatët ta votojnë, si dhe të gjithë shqiptarët të votojnë Edi Ramën, në mënyrë që, sipas tij, të vijojë transformimi i Vlorës dhe i gjithë Shqipërisë, si dhe të bëhet realitet ëndrra evropiane.

Më tej, kandidati socialist iu përcolli një mesazh dhe opozitarëve, të cilët kanë vendosur të mos marrin pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit. Për Lelin, kjo ishte një çmenduri e opozitës, e cila, sipas tij, donte të kujtonte ’97-ën e hidhur, atë që ka plagosur shumë zemra shqiptarësh.

“Të gjithë së bashku të votojmë Edi Ramën. Në këto katër vite ky qytet ndryshoi tërësisht, duke filluar nga këtu, duke vazhduar më tej. Duke ecur në investimin më të ri të qytetit, në bulevardin me emrin e Ismail Qemalit, për të mbërritur në sheshin e flamurit dhe për të arritur në investimin më madhështor, në shtëpinë e Marigosë, aty ku u qëndis flamuri. Jam i bindur që bashkë me Ramën do të bëjmë edhe sheshin e flamurit në Vlorë monument të historisë e vlerave.

Katër vite më parë ky qytet kishte probleme pa fund, por investimet shndërruan këtë qytet. Në këto kohë kemi dëgjuar pa fund komente e histori, dhe një çmenduri njerëzore që nxori njerëzit në rrugë, për të dalë kundër ligjit e Kushtetutës. Këta njerëz famëkeq donin të kujtonin ’97 e hidhur, atë që ka plagosur shumë zemra shqiptarësh. Im bir është 18 vjeç dhe nuk e kujton ’97 e hershme dhe është i bindur se duke votuar për herë të parë, shqiptarët nuk do të ecin prapa. Me votën e 30 qershorit po bëjmë aktin e parë të madh në respektim të vlerave e ligjit për ta çuar Shqipërinë drejt Evropës, që mos të ngelet ëndërr për të gjithë fëmijët tanë.

Nga ky shesh dua të ftoj të gjithë shqiptarët kudo janë të votojnë numrin 30, PS, të votojnë Edi Ramën. Ftoj të gjithë vlonjatët të votojnë numrin 1, për të vazhduar projektin e madh të transformimin modern të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë, me një burrë të madh, që di të tregojë se shqiptarët janë njerëz me vlera.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: