TIRANE- Me pankarta në duar, lule, qirinj, dhimbje të fshehun nën rrobat e zeza, familjarët e Pëllumb Marnikollajt që vdiq në rrethana misterioze në një stacion policie në Greqi, kërkojnë drejtësi para ambasadës greke. Ata janë grumbulluar sot rreth orës 11:00 përpara Ambasadës së Greqisë për të kërkuar hetim të plotë dhe procedura të përshpejtuara që do të conin tek autorët e vërtetë të vrasjes, sipas tyre.

“Na e vranë Pëllumbin, “U treguat të pabesë”, “Kjo nuk është drejtësi” ishin disa prej pankartave që mbanin në duar familjarët e ardhur sot nga Lezha. Gjatë protestës pati edhe një moment tensioni, pasi familjarët u përpoqën të përparonin në drejtim të ambasadës, por kordoni i policisë i blloki. Sipas policisë, leja për zhvillimin e protestës nuk e ka parashikuar këtë gjë dhe as bllokimin e rrugës.

Babai i Marnikollaj tha se do të qendrojnë këtu deri sa të marrin një përgjigje për shkakun e vdekjes së Pëllumbit.

Pse po protestoni?
Babai: Për rastin e vdekjes së djalit që ka ndodhur në Greqi, për të kërkuar që të zbardhet e vërteta. Do protestojmë, do rrimë dita-ditës deri kur të zbardhin të vërtetën.

Prokuroria po heton në Greqi, ju çfarë kërkoni nga amabasada?
Babai: Të përshpejtojnë procedurat, të bëhet hetim i plotë dhe i gjithanshëm.

NGJARJA
Pëllumb Marnikollaj, i cili jetonte si emigrant në Greqi, humbi jetën në rrethana ende të paqarta në stacionin e policisë në Athinë, në fillim të muajit Gusht. Ai ishte arrestuar për vjedhje duke bërë 7 vite burg dhe prej 4 muajsh gjykata e kishte liruar, duke e lënë në detyrim paraqitje.

Me datën 3 Gusht, me kërkesë të policisë greke, Marnikollaj ishte paraqitur në komisariat, ku pas disa orësh gjeti dhe vdekjen. Pas disa ditësh kërkime, trupi i pajetë i emigrantit u gjet në frigoriferin e varrezave “Agio Anargioro”, gati për t’u varrosur, duke u klasifikuar si kufomë pa identitet.

Familjarët e 29-vjeçarit pretendojnë se i afërmi i tyre ka gjetur vdekjen pasi është dhunuar barbarisht nga autoritetet policore greke. Por kjo e fundit i ka mohuar këto akuza. Pak javë më parë, policia helene deklaroi se nga ekspertiza paraprake, në trupin e Marnikollaj janë konstatuar dëmtime në kokë dhe hemoragji e brendshme, që mund të kenë ardhur nga rënia nga një lartësi e madhe.

Sipas versionit të policisë greke, më datën 3 Gusht, rreth orës 14:30, Marnikollaj është hedhur nga dritarja, pasi e kuptoi se do ta arrestonin. Sipas autoriteteve greke, për Pëllumb Marnikollaj kishte urdhra të tjera arresti, që duheshin zbatuar.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb