NGA KLODIANA HAXHIAJ*

DURRËS- Atë ditë që Maria 14 vjeçe do të shkonte për herë të parë në një kamp veror, prindërit e saj morën rrugën për kaluar ilegalisht në shtetin grek. Ndërsa Maria freskohej në një lumë, në Grevena të Greqisë, pasi kish ecur shtigjeve të maleve, në temperatura mbi 40 gardë, me dy prindërit e saj ajo u mbyt duke kënduar, duke lënë pas dhimbje të madhe.

Historia e trishtë e Marias e treguar nga ditari i saj, ka shokuar mbarë opinionin publik me të vërtetat rrëqethëse. Ajo donte të bëhej poete, por familja e saj, jo vetëm që nuk kishte të ardhura, por dy fëmijët më të vegjël, ja kishte besuar kishës ortodokse në Durrës, për edukimin, arsimimin e rritjen e tyre.


Atë që nuk e bën shteti dhe strukturat vartëse të tij, me familjet e me fëmijët e me fëmijët e tyre që përballen me probleme të rënda ekonomike dhe sociale e bën kisha ortodokse në qytetin e Durrësit. 30 fëmijë , midis tyre edhe Simoni dhe Theodhora, kanë gjetur një strehë të ngrohtë dashurie, në Shtëpinë e Fëmijës në Shën Vlash të Durrësit. Janë dy vogëlushët që humbën pak ditë më parë motrën e tyre Marian 14 vjeçe, në tentativë për të kaluar lumin ilegalisht, në shtetin grek. Dy vogëlushët prej nëntorit të 2013, janë pjesë e kësaj shtëpie, ku përkujdeset një staf i tërë, për gjithçka. Midis dy vogëlushëve më serioz është Simoni, 12 vjeç, ndërsa Theodhora, fiton gjithmonë garat e notit, me shokët e shtëpisë.

Përgjegjësja e Shtëpisë së Fëmijës tregon se pas përfundimit të shkollës, gjatë sezonit  veror, fëmijët vijojnë aktivitete të shumta sportive e kulturore. Edhe Maria para se të nisej në Greqi, kishte një fletë kampi, për shkuar me vajza të moshës së saj, për të cilin ishin kujdesur stafi i kishës.

Për herë të fundit Maria i kish vizituar motrën dhe vëllain në 1 korrik. Ishin çmallur dhe përfaqësuesit e komunitetit ortodoks dhe shtëpisë së fëmijës, u vinin në ndihmë herë pas here, me të holla dhe ushqime.  “E kishim të vështirë, nuk mundnim dot t’jua thoshim fëmijëve, për vdekjen e së motrës, jo vetëm ata por as ne, nuk e besonim dot. I çuam në shtëpi për ceremoninë e varrimit të motrës së tyre, por babai i tyre, na u lut, që ti mbajmë ne këtu”, thotë përgjegjësja.

Dy vogëlushët u bënë pjesë e kësaj qendre, pasi jetonin në kushte ekstreme varfërie. Këtu arsimohen në një prej shkollave më të mira në Durrës, dhe bëhen pjesë e aktiviteteve me karakter social, çka në fshatin e tyre në Ardenicë, prindërit i kishin të pamundura plotësimin e kushteve me minimale të jetesës për fëmijët e tyre.

Familja Sholla nga Ardenica e Lushnjës, kaloi zonën kufitare nëpër monopate dhe u ndal diku në Grevena, pranë urës së vendit të quajtur Elefterohorio, për t’u freskuar pak në lumin Venetiko, një ndër përrenjtë më të mëdhenj të zonës së Aliakmona.

Vajza 14 vjeçe u zhyt në ujin e lumit për t’u freskuar nga vapa, por rrëmbesa e ujit bëri që ajo të mos ia dalë. Prindërit nuk mundën dot të shpëtonin vajzën e tyre, trupi i të cilës u nxor pak më vonë nga lumi dhe u dërgua në spitalin e përgjithshëm të Grevenasë.

Prindërit i rrëfyen policisë se u detyruan të kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin, për shkak se donin të jetonin e të punonin në Greqi, pasi kishin dëgjuar se në Kalamaka po kërkonin njerëz për punë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb