TIRANË- Pas ezaurimit të pothuajse gjithë alternativave për zbardhjen e vrasjes së Remzi Hoxhës, familjarët e tij sërish nuk dorëzohen. Ata kanë nisur të mbledhin firma për një peticion, pikërisht me këtë qëllim, të zbardhet vrasja.

Ndonëse kanë kaluar 20 vjet nga vrasja e biznesmenit dhe veprimtarit të njohur, Remzi Hoxha, ende nuk është zbardhur e vërteta rreth vrasjes së tij.

Djali i të ndjerit, Ardian Hoxha i bën apel të gjithë qytetarëve të përkrahin këtë peticion. “Përkrahni peticionin për rastin e babait tim. Firmoseni dhe shpërndajeni aty ku keni mundësi. Të ndalojmë krimin shtetëror ndaj çdo shqiptari. E njëjta gjë, mund t’i ndodhë secilit prej nesh”, thotë Ardiani.

Në peticion familjarët theksojnë se armiku kryesor që po vret shpresën që Remzi Hoxha të ketë një varr, është koha.

“Provat zhduken. Afate të caktuara treten. Kujtesa popullore rreth bëmave të tij gjithashtu zvogëlohet. Kriminelët që dinë, që urdhëruan arrestimin e tij, dhunimin e tij, që e heshtën zhdukjen e tij, kanë patur mundësi të rishpikin veten. Qeveritë që i zënë vendin njëra tjetrës merren me punët rutinë dhe harrojnë vendosjen e drejtësisë për një krim unikal në historinë e pluralizmit shqiptar”.

“Për ne familjarët e Remzi Hoxhës, për ne bashkëveprimtarët e tij, e gjitha kjo është një vrasje e dytë e tij. Për të gjithë këto arsye, bashkohu me ne që Qeveria Shqiptare, që Gjykata e Lartë, që Ministria e Brendshme të bëjnë punën e tyre. Nëse ato e bëjnë saktësisht punën e tyre, atëherë prindi ynë, i afërmi dhe miku jonë do të kenë të paktën një varr. Dhimbja jonë do lehtësohet sadopak për këtë krim të pakuptimtë shtetëror ndaj dikujt që duhej të mbrohej dhe jo të asgjësohej”, theksohet në peticion.

Të hënën familjarët së bashku më një grup organizativ, do të marshojnë në Shkup në ora 10:00, deri me datën 20 tetor (e martë) të njëjtën do ta bëjnë në Prishtinë, dhe me datën 21 tetor (e mërkurë) protesta do të jetë në Tiranë, në kërkim të zbardhjes të së vërtetës së eliminimit fizik të Remzi Hoxhës.

“Ne do mobilizohemi së bashku me qindra bashkatdhetarë në këto tre qendra të shqiptarisë sepse Remziu ishte i të gjithë shqiptarëve. Mobilizohu dhe ti! Si fillim, firmose këtë peticion, që e vërteta rreth Remziut të mos harrohet; që drejtësia të bëhet; që ai si gjithë qeniet njerëzore të ketë një banesë të fundit ku të prehet përjetësisht”, thuhet në apelin e familjarëve dhe organizatorëve të kësaj proteste. Ndryshe, biznesmeni dhe veprimtari Remzi Hoxha ishte eliminuar fizikisht, në 21 tetor të vitit 1995, në rrethana ende të panjohura.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: